E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktivizimi i Merxhës fundos FSHF-në, nuk ka një zgjidhje

 

Drejtuesit e FSHF-së bënë të ditur dje se çështja e Kupës, e cila u gatua nga një gafë e rëndë e institucionit të futbollit dhe e vetë klubeve gjysmëfinaliste, do të zgjidhet të mërkurën e ardhshme, kur të mblidhet Komisioni i Disiplinës. Nga sa u mësua dje, një ide për zgjidhjen e këtij problemi është eliminimi i Dinamos nga Kupa e Shqipërisë dhe kualifikimi në tavolinë i Vllaznisë. Ndërsa për Partizanin dhe Flamurtarin, meqenëse kanë gabuar të dyja me aktivizimin e lojtarëve, është hedhur hipoteza për një ndeshje shtesë. Megjithatë, situata e tanishme, sido që të shkojnë gjërat, vështirë se ka një zgjidhje logjike dhe të drejtë, pa cenuar vijueshmërinë e Kupës. Dje është marrë vesh se mesfushori Eriol Merxha ka qenë i grumbulluar gjatë fazës së parë me Elbasanin në ndeshjen e Kupës kundër Besëlidhjes. Megjithëse nuk ka luajtur ndaj lezhjanëve, ai gjithsesi ka qenë në listën e protokolluar me 18 lojtarë, që mund të luanin në atë ndeshje dhe kjo gjithashtu, përbën shkelje njësoj si aktivizimi i Bakajt, Gjondedës apo Bakallit. Në rast se Flamurtari do të ishte po aq në rregull sa edhe Vllaznia, atëherë situata do të kishte një zgjidhje më të mirë, ndonëse shumë të kontestuar. Dinamo dhe Partizani për shkelje të rregullores do të eliminoheshin dhe shpalleshin gjysmëfinaliste Vllaznia e Flamurtari. Edhe në këtë rast klubet me të drejtë do të ankoheshin, pasi FSHF-ja duhet të merrte masa që pas ndeshjeve të para. Por gjithsesi, federata do të kishte një pikë mbështetjeje në rregulloren e saj të cunguar e të paplotë, pasi do të kishte marrë një masë të njëjtë për të dyja klubet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›