E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli ngrin shkarkimin e ish-prokurorit të Sarandës

 

Trazhgim Sokolaj

Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme la pezull dje çështjen e ndëshkimit ndaj ish-prokurorit të rrethit Sarandë, Sali Hasa, i akuzuar për abuzime të rënda me detyrën. Pas një mbledhje, e cila ka zgjatur rreth katër orë, anëtarët e Këshillit të Prokurorisë janë ndarë në dy pjesë, duke votuar 3 me 3 për ndëshkimin e ish-kryeprokurorit të Sarandës. Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, dy kanë qenë masat ndëshkimore që janë propozuar të merren ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë në qytetin jugor të vendit. Propozimi i parë ka qenë shkarkim nga detyra, ndërsa varianti i dytë ndëshkimor ishte ulja në detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore. Shtatë anëtarët e Këshillit të Prokurorisë kanë marrë në shqyrtim provat e administruara gjatë kontrollit që është bërë për punën e prokurorit në hetim Sali Hasa. Masa ndëshkimore ndaj tij është propozuar nga Ministria e Drejtësisë, e cila ushtroi një kontroll në Prokurorinë e Sarandës dhe në fund të inspektimit pretendoi për shkelje dhe abuzime të rënda në detyrë, nga përfaqësuesi i akuzës Sali Hasa. Bazuar në konkluzionet e arritura prej Ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria filloi procedimin disiplinor ndaj ish-shefit të akuzës së Sarandës. Sipas kontrollit të ushtruar në institucionin e drejtuar prej tij, rezultoi se në Prokurorinë e Sarandës ka pasur parregullsi për mënyrën si janë trajtuar çështjet penale. Sipas raportit të ministrisë, shkeljet kryesore në Prokurorinë e Sarandës kanë qenë rastet kur organi i akuzës ka kërkuar masa sigurimi jo në përputhje me ligjin dhe rrezikshmërinë e veprës penale. Sipas akt-kontrollit, në Prokurorinë e Sarandës janë marrë vendime të pabazuara për mosfillim hetimi lidhur me kallëzimet e bëra nga qytetarët dhe institucionet, ndërsa janë gjetur probleme edhe me respektimin e afateve ligjore të çështjeve penale. Një tjetër shkelje e ish-kryeprokurorit të Sarandës është konsideruar edhe ekzekutimi i vendimeve penale, ku janë gjetur mangësi të konsiderueshme. Pasi u njoh me raportin e Ministrisë së Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme verifikoi me anë të Drejtorisë së Inspektimit pretendimet e ngritura dhe arriti në përfundimin se ndaj titullarit të prokurorisë së Sarandës duhej të fillonte procedimi disiplinor. Pak ditë më parë, Këshilli vendosi masën "vërejtje" ndaj prokurorit të Beratit, Tasim Puci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›