E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten lekët e pensionistëve

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Grabitje spektakolare në mes të qytetit të Lezhës me kallashë e maska. Tre persona ende të paidentifikuar iu morën dhunshëm 5 milionë lekë dy grave të postës. Këto të fundit kishin bërë tërheqjen e parave që do t'u shpërndaheshin pensionistëve, në një nga bankat e nivelit të dytë. Gratë e postës ishin të shoqëruara edhe nga një polic i shërbimit të bankës, por nën kërcënimin e armës ata janë detyruar t'u dorëzojnë lekët maskave. Policia e Lezhës, e alarmuar për këtë ngjarje që ndodhi në mes ditës, në sy të dhjetëra kalimtarëve, vuri menjëherë postblloqe nëpër qytet dhe në hyrje-daljet e saj. Por makina, që sipas dëshmitarëve ishte me targa të huaja, arriti të largohet, e për pasojë, deri në orët e vona të natës, personat dhe destinacioni i parave mbetën mister. Policia e Lezhës bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi dje në orën 10:30 në bulevardin "Gjergj Fishta". Bazuar në deponimet e punonjësve të postës, policit të shërbimit dhe kalimtarëve të rastit, blutë e Lezhës ndërtuan mekanizmin e kësaj ngjarjeje si dhe dyshimet paraprake. Sipas policisë, grabitësit, të cilët kanë qenë tre, kanë pritur rreth 30 minuta para filialit të bankës së nivelit të dytë, derisa punonjëset e postës të dilnin me paratë e pensionistëve. Dyshohet se grabitësit ishin mirinformuar më parë për lëvizjet dhe itinerarin e dy grave të postës në Lezhë. Ato paraqiteshin në orën 10:00 me datën 12 të çdo muaji. Pasi LEZHE/ ROLAND NIKOLLIjanë futur në orën 10:00, punonjëset e postës kanë dalë nga banka me paratë në orën 10:30. Në këtë moment, personat kanë ndërhyrë duke e kryer gjithçka brenda pak minutash, në sy të dhjetëra kalimtarëve. Sipas dëshmisë së viktimave, por edhe dëshmitarëve okularë, dy prej grabitësve me kallashë në duar kanë kërcënuar gratë dhe policin e shërbimit t'iu jepnin paratë. Ndërsa personi tjetër ka qëndruar në makinë duke i mbuluar ata me armë në rast rreziku apo ndërhyrje nga persona të tjerë. Madje për të çorientuar situatën, personi që qëndroi në makinë qëlloi disa herë me armë. Nën terrorin e krismave dhe kërcënimeve të agresorëve, punonjëset e postës janë detyruar të dorëzojnë gjithë shumën e parave. Gjithçka ndodhi sa hap e mbyll sytë e më pas tre grabitësit u larguan me mjetin që kishte qëndruar i parkuar para bankës prej rreth gjysmë ore. Sipas dëshmitarëve, ata u larguan në drejtim të superstradës Lezhë-Shkodër me një automjet tip "Wolksvagen", ngjyrë gri, me targa të huaja. Pasi kanë dëgjuar të shtëna armësh, në vendngjarje mbërriti menjëherë policia. Blutë organizuan menjëherë një operacion për kapjen e grabitësve, të cilët dyshohet se morën rrugën drejt Shkodrës. Ata vunë postblloqe në të gjitha hyrje-daljet e qytetit, ndërsa sinjalizuan edhe policitë e rretheve fqinje. Policia e Lezhës mori në pyetje punonjëset e postës dhe policin e shërbimit, të cilët detajuan ngjarjen. Gjithashtu u morën edhe dëshmitë e të paktën 10 personave, dëshmitarë okularë të ngjarjes. Ekspertë të policisë kriminale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë po hetojnë në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që sipas tyre dyshimet e para flasin për një grabitje të mirorganizuar më parë nga autorët. Sipas burimeve, dyshohet përfshirja edhe e personave të tjerë në këtë ngjarje.

Dyshimi, autorët u sinjalizuan për paratë
Policia e Lezhës bëri të ditur se po përdor të gjitha mjetet e specializuara për zbardhjen e grabitjes që ndodhi dje. Burime nga grupi që po merret me hetimin e kësaj ngjarje, u shprehën se ka dyshime të forta se organizimi i kësaj grabitjeje mund të jetë kryer në bashkëpunim me persona të brendshëm. Sipas tyre ka dyshime se autorët janë sinjalizuar nga punonjës të postës ose bankës në lidhje me paratë që do të tërhiqeshin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›