Grevistët e 9 janarit akuza Kryeprokurores
SHKODER - Kur greva e urisë ka hyrë në ditën e 13-të të saj, familjarët e viktimave të tragjedisë së 9 janarit akuzojnë direkt Kryeprokuroren Ina Rama. "Kishim shpresë se do të merrnin një përgjigje zyrtare nga Kreshnik Spahiu, nga Presidenti Topi por në mënyrë të veçantë besonim tek Ina Rama, se ajo mund të bënte diçka për ne. Por me këtë indiferencë të saj, mua personalisht më lind e drejta ta akuzoj se ajo ose bashkëpunon me krimin ose është e paaftë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ky qëndrim i saj", ka reaguar dje Ndoc Bjeshka, i cili humbi të birin në tragjedinë e Karaburunit. Bjeshka është futur i pari në grevën e urisë e po vazhdon i ngujuar, ndërkohë që dy prej 4 grevistëve u detyruan të shtrohen për mjekim në spitalin e Shkodrës. "Ne kemi bërë të gjitha shkresat zyrtare të ne-vojshme, kemi bërë kërkesat për rihetim dhe tani kanë kaluar të gjitha afatet, brenda të cilave duhej të na kthehej përgjigjja. Jemi të zhgënjyer prej Ina Ramës. As presidenti nuk na ka kthyer përgjigje". Ndërkohë që greva po arrin dy javë nga nisja e saj dhe gjendja shëndetësore e të ngujuarve sa vjen e rëndohet, grevistët i kanë humbur shpresat se çështja e tyre do të zbardhet. Sipas Ndoc Bjeshkës, ata të katër janë të vendosur që të vazhdojnë grevën deri në vetësakrifim. "Veç fjalëve të bukura nuk po shohim asnjë hap konkret nga organet e drejtësisë, për të filluar hetimet në lidhje me tragjedinë e 9 janarit", shprehen ata. r.d