E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet seanca e 63-të e "bandës së Durrësit"

 

TIRANE - Procesi gjyqësor në ngarkim të pandehurve si anëtarë të "bandës së Durrësit", ka shënuar dje dështimin e radhës. Këtë herë shkak është bërë mosparaqitja në seancë e kreut të Dhomës së Avokatisë Tiranë, Fatmir Braka, i cili u caktua si mbrojtës kryesisht nga gjykata i të pandehurit Lulzim Berisha një seancë më parë. "Avokati Fatmir Braka ka njoftuar gjykatën se e ka të pamundur paraqitjen në këtë seancë, për shkak të një angazhimi tjetër të përcaktuar më parë", relatoi dje përpara palëve kryesuesi i seancës, gjyqtari Gurali Brahimllari. Ndërkaq nuk kanë munguar edhe replikat nga avokatët e tjerë të pranishëm në sallë. "Fatmir Braka nuk ndodhet në listën e avokatëve, të cilët mund të caktohen kryesisht nga gjykata, siç e përcakton ligji", është shprehur avokati Riza Icka, duke shprehur edhe pakënaqësi kur iu bë e ditur se avokati Braka e kishte njoftuar gjykatën me anë të telefonit. Ndërsa gjykata bëri të ditur se në seancën e ardhshme do të rinjoftohej avokati Braka, si dhe dy avokatët e zgjedhur me prokurë nga vetë i pandehurit. Gjithashtu gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit. Seanca e djeshme ishte e 62-ta në gjykimin e kësaj dosjeje, ndërsa që prej fillimit të këtij procesi nuk është bërë e mundur zhvillimi i asnjë seance. Personat e akuzuar si anëtarë të "bandës së Durrësit" akuzohen për vepra të rënda penale të kryera në vitin 1997 në këtë qytet.                      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›