"Ndihmë, po rrisim fëmijët me ushqimet e skaduara"
BURREL/ HASAN PASHA
Prej 18 dhjetorit të vitit të kaluar, 6 familjet e mbetura pa strehë për shkak të djegies së shtëpive kanë mbetur në mëshirë të fatit. Kanë trokitur herë pas here në zyrat e pushtetit lokal, por askush nuk ka dhënë një përgjigje për fatin e tyre. Të zënë ngushtë për shkak të mungesës së ushqimeve dhe ftohtit të këtyre ditëve, ata kanë lëshuar sinjalin "sos", pasi po vuajnë për kafshatën e bukës. Skënder Murra, njëri nga kryefamiljarët e mbetur pa shtëpi, tha për "Panorama" se aktualisht të gjithë ndjehen keq, sidomos për ushqyerjen e 42 banorëve.
Sa kohë ka kaluar nga djegia e shtëpive tuaja dhe si po jetoni aktualisht?
Kanë kaluar 82 ditë nga djegia e 6 shtëpive tona në lagjen "Drita" të qytetit të Burrelit. Fillimisht, falë kontributit të mediave, sidomos gazetës tuaj, u mundësua sistemimi ynë i përkohshëm në ish-zyrat e tatimeve. Nuk refuzuam se ishte ftohtë dhe nuk dinim ku të strehonim fëmijët. Na dhanë pas pak ditësh pak ushqime, të cilat nuk mjaftonin as një javë. Nevojat ishin të mëdha por bashkia dhe strukturat e shtetit u mjaftuan me pak sheqer, disa konserva të skaduara dhe disa batanije. Ne aktualisht po vuajmë shumë. Nuk kemi asnjë burim të ardhurash. Nuk kemi asnjë qindarkë për të blerë bukë e ushqime, për të përballuar këto ditë të vështira. Kemi shkuar disa herë në bashkinë e qytetit dhe vetëm fjalë të mira na thonë, ndërkohë që asnjë masë nuk merret për t'na ardhur në ndihmë.
Si është gjendja e banesave tuaja?
Shqetësimi kryesor për ne është ringritja e shtëpive. Shtëpitë e djegura, muret që kanë mbetur në këmbë duhen shembur. Zjarri dhe amortizimi kanë bërë që muret të plasariten. Ne, të gjitha familjet, kemi kërkuar rikthimin në trojet ku kemi qenë. Çfarë do të ndodhë, këtë nuk jemi në gjendje ta themi.
Nëse nuk do të keni mbështetje, si do të veproni?
Jemi ankuar shumë, madje kemi dërguar dhe letra në qeveri dhe ende nuk kemi marrë një përgjigje nga strukturat shtetërore. Jemi bindur se askush nuk do t'ia dijë për fatin tonë dhe fëmijëve tanë. Kemi vendosur bashkarisht të protestojmë me të gjitha mjetet demokratike. Së pari do të kërkojmë rikthimin në truallin që kemi pasur, duke mos lejuar askënd të bëjë biznes me truallin e shtëpive tona. Së dyti, do t'i lutemi bashkisë, prefekturës, qarkut, Ministrisë së Punës, të gjitha OJF-ve, të na ndihmojnë të shpëtojmë fëmijët. Jemi në gjendje kritike dhe çdo vonesë do të sjellë probleme për jetën tonë. Nusja e djalit po rrit një fëmijë të porsalindur në kushte tejet të rënda. Do t'i kërkojmë Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha dhe Kryetares së Kuvendit Topalli t'na kujtojnë sot, pasi nesër do të jetë shumë vonë.