E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktorët e teatrit me Kënga kosovare në Ferizaj

Një performancë poetike me temë kombëtare për javën e kulturës
Java e kulturës në Ferizaj të Kosovës, ka bërë që këto ditë qyteti të gjallërohet mes aktiviteteve të shumta kulturore. Shfaqje teatrore, performanca poetike etj, janë disa prej aktiviteteve që po zhvillohen kot ditë në këtë qytet. Kjo javë ka nisur në datën 3 qershor për të përfunduar në datën 10 qershor. Në këtë javë të kulturës janë disa aktorë si Rozina Kostani, Sokol Angjeli, Jetmira Dushaj dhe Adriana Tolka, të cilët sonte do të ngjiten në skenë me një perfomancë poetike të titulluar Kënga kosovare. Është një performancë poetike, aktuale. Ne kemi bërë një kronologji të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë. Gjithashtu është interesante, pasi ata kanë një javë kulturore, dhe në këtë kuadër ne sjellim këtë shfaqje. Pra, në të bëhet fjalë si Kosova është ndarë nga ne, kjo copëz e jona dhe ngjarjet vijojnë deri tani, që ajo është bashkuar dhe shikohet se si përjetohet ky bashkim. Kemi futur një element të ri, që është pulëbardha e cila nënkupton lirinë. Dhe kjo e fundit është gjithmonë shumë e brishtë....., tregon mes të tjerave aktorja Rozina Kostani, e cila vjen dhe si regjisore e kësaj performance poetike. Ndërkohë që edhe skenografia e saj është menduar krejt e veçantë, ku sipas regjisores Kostani do të mbizotërojë ngjyra e kuqe. Gjithashtu skenografia është shumë interesante. Për realizimin e saj jam kujdesur personalisht. Në qendër është nëna Shqipëri e mbuluar e gjitha me flamur të kuq, pra e gjithë skena kullon në flamur, në gjak si të thuash pasi ky simbol është gjaku. Por kjo shfaqje nuk është thjesht recitimi i një poezie, por në të është futur elementi i dance teatër, pra nuk do të ketë kërcimtarë por nënkupton një interpretim me lëvizje, me plastikë. Në këtë shfaqje interpretoj unë , Sokol Angjeli, Jetmira Dushaj dhe Adriana Tolka, që interpretojnë poezi. Unë do të interpretoj pulëbardhën, shpirtin e lirisë dhe nëna Shqipëri... pra nuk është thjesht recitim i një poezie, ta thuash atë përmendësh dhe vetëm kaq, por do të ketë një pjesëmarrje të madhe brenda, tregon më tej Kostani mbi performancën poetike Kënga kosovare.E pyetur për mesazhin që do të përcjellin në skenën kosovare, Kostani shprehet se ai vjen si një mesazh, i cili ka në qendër ruajtjen e lirisë. Mesazhi është që ta ruajmë këtë liri që na erdhi, mos ta vrasim. Pasi ne në Ballkan jemi pak gjaknxehtë, na merr pak malli për të bërë sherr, si thuhet në një poezi të Xhevahir Spahiut, jemi tipa sanguinë dhe ngatërrohemi edhe atëherë kur nuk duhet. Mesazhi pra është që ta shijojmë këtë kohë që na erdhi. U deshën kaq shumë vite që të vinte pavarësia, por ama erdhi dhe ne u motivizuam dhe thamë pse jo menduam ta bënim një përshëndetje atje. Është një emocion i fortë për ne, cilëson ndër të tjera Rozina Kostani. Më tej aktorja dhe regjisorja Kostani pohon se këtë shfaqje ata kanë e menduar që ta shfaqin dhe në disa qytet të tjera, por kjo varet nga mundësitë që do të ofrohen. Në fakt kemi ndërmend që edhe ta lëvizim këtë shfaqje, por për momentin nuk e di, kjo do të jepet vetëm në Kosovë, pasi varet nga disa kushte lëvizja e saj, shton ajo. Rozina Kostani  e cila në këtë perfomancë poetike vjen si aktore dhe regjisore, aktualisht është dhe pedagoge në Akademinë e Arteve, dhe ajo tregon se: këtë punë bëj, pra vë në skenë me studentët shfaqje të ndryshme, edhe pse nuk e kam titullin regjisore. Është një eksperiencë jo e re. Unë jap mjeshtëri aktori dhe këtu unë i përgatis ata të vënë shfaqjen në skenë. Unë them që një regjisor vjen nga një aktor i mirë.Më tej ajo tregon se në këtë pjesëmarrje të javës së kulturës në Ferizaj të Kosovës ka qenë si shtysë dhe roli i Nënë Terezës, që ajo ka interpretuar para disa kohës në skenën teatrore. Roli i nënë Terezës në fakt ishte një shkak pse ne jemi atje. Ne shkuam një javë me një turne në Kosovë. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, madje e paharrueshme për mua. Publiku e ka pritur në mënyrë galopante dhe jam shumë e emocionuar kur kujtoj ato net. Si në Kosovë edhe këtu është mirëpritur shfaqja por nga një publik profesional duhet të them. Kurse atje ishin të dyja bashkë, vijon të tregojë Kostani. Për aktoren dhe regjisoren Rozina Kostani ky rol mbete një ndër më të preferuarit për atë. Të them të drejtën ky është një nga rolet e mi të preferuar, pasi është vetë figura e saj , shumë e vështirë, ku shumëkush mund të rrezikonte. Thjesht edhe nga ana fizike, ku unë duhet të transformohesha, të shkoja në një moshë shumë të madhe , 70-vjeçare. Por një tjetër vështirësi ishte edhe sjellja e kësaj figure, të cilën e njohin të gjithë dhe mund ta hedhin poshtë menjëherë punën tënde. Është e vështirë pra për të shkuar drejt përqasjes, njehsimit me të. Gjithashtu edhe bota e brendshme ka veçantinë e saj, për të cilën unë them se nuk do të vijë një njeri i dytë si ajo, që të japë këtë forcë, këtë dashuri e cila është pikërisht ajo që na duhet, por që është kaq e vështirë që ta japin. Jam munduar dhe kam sjellë mbi të gjitha një shqiptare. Pasi ajo ka bërë bujë nëpër botë mbi të gjitha pasi ka qenë shqiptare, përfundon aktorja Kostani. Ndërkohë që edhe aktori Sokol Angjeli mes të tjerave u shpreh i entuziazmuar për këtë pjesëmarrje të aktorëve të teatrit në Ferizaj. Sipas tij kjo javë e kulturës shqiptare është e rëndësishme dhe për temën e saj kombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›