Aktoret kumanovar reagojne ndaj drejtorit Karaga

Kumanovë, 9 Shkurt, 14:40, NOA - Reagim i aktorëve Kumanovarë ndaj deklaratave të drejtorit Karaga për shkrimin në gazetën “Lajm” më datë 6 shkurt 2009 me titull: ”Katërshja e Kumanovës mund të angazhohet nëpër shfaqje”
Të indinjuar nga ndërprerja e kontratave të punës pa kurrfarë sqarimi dhe argumenti të besueshëm, kjo indinjatë bëhet edhe më e madhe kur pas këtij akti tejet jo kolegjial dhe joprofesional drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga, del me deklarata se neve edhe pse na është ndërprerë kontrata prapëseprapë do të jemi të angazhuar me honorar në shfaqjet e përcaktuara në programin e teatrit – deklaratë që bie ndesh me veprimet e tij dhe me fjalët e tij.
Zotëri drejtor, ju bini në kundërthënie me vetveten kur shprehni “gatishmëri” për të na angazhuar me honorar e menjëherë pastaj deklaroni: ”Aktorëve, që nuk u vazhdua kontrata sigurisht se nuk janë në përputhje me interesat e programit” kjo dëshmon se që në fillim të përpilimit të programit të teatrit ne jemi të përjashtuar nga mundësia për të qenë të paraparë në realizimin e këtij programi.
Më tej shtoni duke thënë “u ka mbetur që të presin vullnetin e regjisorëve” duke harruar se çka keni thënë pak më herët se: aktorëve, që nuk u vazhdua kontrata sigurisht se nuk janë në përputhje me interesat e programit”.
A do të thotë kjo se kërkesat e regjisorëve për aktorët do të dirigjohen nga vet ju si drejtor – DEJA VU. Është fakt se kemi mbajtur komplet repertorin e mëparshëm, së paku kemi punuar e nuk e kemi marrë pagën duke fjetur në shtëpi, tani ju ndërpritni me plot kënaqësi të gjithë repertorin e dy viteve të mëparshme vetëm pse ne jemi pjesë e atij programi.
Është hera e dytë që ju si drejtor ktheheni edhe shkelni mbi krijuesit kumanovarë, herën e parë nuk e kishit kënaqësinë të na largoni nga vendi i punës sepse nuk ishim aty, plus asaj gjatë mandatit tuaj 4 vjeçar as që na dhatë hapësirë për tu angazhuar në ndonjë shfaqje- jeni të dëshmuar në këtë punë. Ju më tej theksoni ”Ata, e kishin një herë mundësinë të punojnë këtu, pse mos ta kenë mundësin edhe tjerët”, mirë që pranoni se ne paskemi pasur rastin “NJË HERË” të punojmë- ABSURD, paskemi punuar një herë edhe aq më nuk kemi nevojë më. Kush të ka mësuar kështu zotëri Karaga?
Nuk kemi asgjë kundër kolegëve tjerë, edhe ata duhet të punojnë. Sipas teorisë tuaj të famshme “NJË HERË”, që të mos i bie se jeni demagog, është mirë që edhe ju të lironi vendin tuaj të punës e të punoj ndokush që nuk ka punuar deri më sot apo do të bëni taktizime deri sa të merrni vendim pune në teatër si aktorë. Të pyesim pasi ky është mandati i dytë i juaji, si ish drejtor i teatrit a na keni angazhuar deri më sot - DEJA VU. Kush jeni ju zotëri drejtor që vendosni kush dhe kur duhet të luaj, sa duhet të luaj, çfarë role duhet të luaj dhe ne cilën periudhë kohore duhet të luaj? Me çfarë të drejte artistëve ua ndërpritni kontinuitetin artistik?
A mendoni se ju e keni mandatin që si drejtor t’i përcaktoni këto gjëra? Kemi menduar se duart i keni te pastërta, kemi menduar se kishit vlera, vlera njerëzore dhe kombëtare edhe pse përkushtimin tonë e demonstruam për vite të tera me sakrifica të shumta, ndërkaq sot karrigia që je ulur në te ta ka marr vitalitetin shpirtëror dhe kombëtar. Derisa maqedonasit hapin teatro të reja, rrënojnë objektet e teatrove te vjetra duke i zëvendësuar me objekte të reja dhe komforte ku në to integrojnë artistët e tyre, juve kjo nuk ju pengon. Ata për artistët e tyre bëjnë plane, projekte integruese dhe kombëtare ndërsa ju merreni me përcaktime se këtë vit këta aktorë do të luajnë e vitin tjetër të shohim- del në pah se ju bëni politikë dezintegruese, anakronike, antikombëtare, antiartistike dhe funksioni juaj si drejtor bie në ujë. Politika që jeni duke bërë ju si drejtor çon ujin në vend të gabuar.
Derisa ju gjoja “mendoni” dhe “paskeni mëshire” për 40 aktorë të tjerë që gjenden jashtë institucionit teatër e me te cilët nuk merret njeri (sipas jush), ju me largimin e aktorëve tjerë e rrisni numrin e aktorëve të papunësuar në 44 - ja edhe një PARADOX. Faktet flasin të kundërtën, kur ju jeni drejtor shtohen numrat e aktorëve të papune - kjo është DEJA VU, prandaj mos nxjerrin lot krokodili.
Nuk e kuptojmë pse drejtorit i pengon zëri artistit ose siç thotë ai me injorancë “TRUMBETIM”. Zoti drejtor nëse ndokush ngrit zërin ndaj padrejtësisë nuk është krim, apo ndoshta ke frikë nga trumbetat. Nga teatri mund të na largosh- por vlerat artistike nuk mund të na mohosh. Fatmirësisht jemi të realizuar si artistë edhe pse nuk kemi qenë asnjëherë drejtor.
Ideali juaj paska qenë largimi i kolegeve nga institucioni teatër përderisa ka nje dekade që kemi qene jashtë institucionit.
Më tej flitni për mungesë te administratorëve dhe juristëve në teatër dhe “qenkeni çuditur si e keni gjete teatrin pa jurist dhe administratorë”. Pyesim si punuat me herët në mandatin tuaj të parë pa juristë dhe administratorë? Sa e dimë ne asnjë jurist nuk është larguar nga puna, përkundrazi janë punësuar shtatë aktorë me vendim pune dhe disa punëtorë, kurse tash punësoni administratorë Kërcovarë dhe largoni aktorë Kumanovarë, si thotë një fjalë popullore, peri këputet ku është më i hollë, por e këpute në heshtje dhe pa konsultimin e asnjërit të atyre që të kanë vendosur aty, prandaj mos u anko se ke presione nga lartë për largimin tonë nga teatri.
Fundja teatri ekziston për aktorët, ndërsa drejtorët vijnë e shkojnë...
Mendim Murtezi, Sefedin Shabani, Musa Isufi, Mirsad Abazi.
Repertori që është ndërprerë në teatër sa për ilustrim është
“Breket”, “Kolonel zogu”, “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, “Kali i karrocës” “Vojceku” “simfonia pa orkestër” “Labirinthet e kujtesës”.
INA/NOA