E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: Edhe 1 muaj hetim Bashës për rrugën

Kryeprokurorja Ina Rama me kërkesë të prokurorit të çështjes që po heton zbardhjen e abuzimeve të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës vendosi të shty afatet hetimore edhe për një muaj ndaj personit nën hetim deputetit pa imunitet Lulëzim Basha dhe të pandehurve Armand Teliti e Andi Toma, dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve në kohën e projektimit dhe tenderimit të kësaj rruge.

Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmohet se prokurori i çështjes Arben Kraja me marrjen e akt-ekspertimit të ekspertëve kontabël të cilët kanë vlerësuar dëmin e shtetin në ndërtimin e kësaj rruge, ka kërkuar edhe një muaj kohë për t’i dhënë drejtim dosjes hetimore. “Dy ekspertët kontabël Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana, pas analizimit të dokumenteve të sekuestruara pranë Ministrisë së Transporteve që organi i akuzës i ka bërë pjesë e fashikullit të hetimit rezulton se kosto totale e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës kap shifrën një miliard e 23 milionë euro. Kosto kjo e cila sipas ekspertëve është shumë e madhe për një ndërtim të tillë”,-thuhet nga burimet.

Sipas tyre, vlerësimi i dëmit është bërë nga dy ekspertët por nuk bëhet e ditur nga prokuroria, pasi sipas saj përbën sekret hetimor. Mësohet se hetuesit e çështjes, nuk japin shumë detaje në lidhje me arsyen e zgjatjes së afateve hetimore, por saktësojnë se kjo kohë mjafton për të kryer kontrollet dhe verifikimin e vendimeve të Këshillit të Ministrave, vendime këto të marra muajt e fundit për të shtuar para për ndërtimin e kësaj rruge, të cilat do të krahasohen me koston e nxjerr nga ekspertët kontabël. Gjithashtu, mësohet se dy ekspertët Ahmetaj dhe Katana nuk janë marrë me diferencat e çmimeve dhe ofertave, por vetëm me konstatimin e vlerës.

Por vlera e projektit ka njohur një rritje të madhe për shkak të funksionimit me nën kontraktorë. Firmat që kanë marrë përsipër të ndërtojnë segmente të ndryshme nuk kanë pasur mundësi që ta bëjnë të vetme këtë gjë dhe kanë pajtuar nënkontraktorë të vegjël, të cilët kanë rritur artificialisht çmimin mbi vlerën reale të tregut. Mësohet se raporti tashmë ndodhet në duart e Ina Ramës e cila do të vendos dërgimin e Bashës në Gjykatë apo të mbyll hetimin, edhe pse kjo e fundit sipas burimeve thuhet se është shumë e vështirë pasi shkeljet ligjore janë të provueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›