Parlamenti maqedonas vendos nesër për njohjen e Kosovës
Shkup-Partia BDI i dorëzoi Parlamentit të Maqedonisë rezolutën për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet nesër pasi ajo është futur në rendin e ditës. Dorëzimi i kësaj rezolute është bërë nga kreu i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani dhe deputetët Safet Neziri dhe Ermira Mehmeti. Përveç deputetëve të BDI-së, ajo është nënshkruar edhe nga kryetari dhe deputeti i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Imer Aliu. Para dorëzimit të këtij dokumenti, janë zhvilluar një takim me grupet parlamentare të partive të koalicionit qeveritar për të diskutuar lidhur me këtë çështje.
Rezoluta pritet të mbërrijë në Parlament nga zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi dhe shefi i grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani dhe më pas do të caktohet edhe seanca ku do të debatohet për këtë çështje.
Sipas kushtetutës së Maqedonisë, Qeveria është ajo që duhet të ndërmarrë vendimin për njohjen, mirëpo ajo ka vendosur që kjo çështje të jetë pjesë e debatit parlamentar. /INA/