Prokuroria shpall zyrtarisht hetimet për Fazllic
Prokuroria e Përgjithshme shpall zyrtarisht hetimet për Damir Fazllic, por vetëm pak orë pas largimit të tij nga Shqipëria.
Serbo-boshnjaku me pasaportë angleze Damir Fazlliç, i shumëpërfolur për lidhjet e tij me kryeministrin Sali Berisha dhe Ministrin e Jashtëm Lulëzim Basha ishte sot në Tiranë dhe u largua menjëherë pasi dha një intervistë për një televizion kombëtar pranë qeverisë, si të ishte duke bërë ndonjë test për gadishmërinë e prokurorisë shqiptare.
Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, konfirmuan në orët e pasdites së seksioni i task-forcës së luftës kundër krimit ekonomik pranë prokurorisë së Tiranës ka filluar hetimet kryesisht.
“Sot u regjistrua procedimi penal dhe kanë nisur kryesisht hetimet nga prokuroria e Tiranës. Hetimet po kryhen rreth fakteve që kanë dalë dhe janë publikuar për shtetasin Damir Fazlliç. Kaq koment kemi deri më tani”,-u shpreh zëdhënësja për shtyp e zyrës së Prokurores së Përgjithshme, Holta Zhiti.
Ndërkaq, pyetjes së “Shekullit” se pse nuk është ndaluar dhe marr në pyetje shtetasi Damir Fazlliç, zëdhënësja e Ina Ramës u shpreh e “ndalimi dhe marrja e tij në pyetje është në vlerësim të prokurorëve të çështjes”-tha ajo.
Ndërkohë, burime të rezervuara pranë organit qendrorë të akuzës të cilët nuk dëshironin të identifikohen, u shprehën për “Shekullin” se “Prokuroria e Tiranës, nuk mund të regjistroi procedimin penal pa u konsumuar të gjitha masat administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Drejtoria e Tatimeve në kryeqytet nuk kanë kryer asnjë veprim administrativë në lidhje me mos pagimin e taksave nga firmat e ngritura dhe shitura nga shtetasi Damir Fazlliç.
Fillimi i hetimeve paraprake nga prokuroria e kryeqytetit, konkretisht nga njësia-task-forcës është bërë për të ulur tensionet dhe akuzat drejtuar prokurorisë për mos fillimin e hetimit të kësaj çështje të shumë përfolur në media”,-tha një nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme.
Tatimet drejtohen nga i pandehuri për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, Arben Sefgjini që mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve në Shqipëri.