Fazlliç në Tiranë, e ruan policia
“Sekseri i Ballkanit” ka kryer një vizitë blic për të konfirmuar në një TV alibinë e Berishës, që i dha ruajtje si personalitetet
TIRANË- Vizita pompoze e Damir Fazlliç ka habitur të gjithë por ajo që realisht ndodhi brenda studiove televizive u mbajt pothuajse sekret. Burime të brendshme pohuan dje për “Shekullin” se i akuzuari si trafikant ka mbajtur të njëjtën linjë qëndrimi. Ai ka pranuar që të jetë miku i kryeministrit Sali Berisha, madje këtë gjë e ka për krenari.
Deklarata
Ai ka pranuar edhe faktin që është miku i ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha. Në intervistën e tij Fazlliç ka shpjeguar aktivitetin e firmave të tij në vendin tonë duke pohuar se ato janë krejtësisht sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Në këtë moment ai është pyetur në lidhje me akuzat e mediave shqiptare e atyre boshnjake si dhe mundësinë për tu marrë në pyetje nga prokuroria. “Unë jam krejtësisht i hapur që të merrem në pyetje nga prokuroria. Për mua nuk ka asnjë problem, mund të shkoj në prokurori nëse më thërret”,- ka pohuar Fazlliç nga studioja e emisionit. Në këtë mënyrë ai i ka hedhur një dorezë sfide prokurorisë shqiptare. Dhe vetëm pak orë më pas, kur Fazlliç ishte larguar, prokuroria deklaroi se ka nisur hetimet ndaj tij. Si për të treguar se kush është, Damir Fazlliç nuk ka harruar as që të deklarojë pasurinë e tij të madhe. “Unë jam shumë i pasur, mund të them se zotëroj rreth 50 milionë euro pasuri”,- ka pohuar me krenari 33- vjeçari boshnjak. Me këtë pasuri ai ka justifikuar të gjitha aferat e dyshimta që ka bërë tërë këto vite në Ballkan, afera të cilat i kanë dhënë emrin “Sekseri i Ballkanit”. Dhe si “ulliri” mbi tortë, ai është larguar nga Shqipëria me një avion privat.
Truprojat
Por dje Damir Fazlliç nuk është shfaqur aq i qetë sa ishte në emision. Përpara se të mbërrinte me bujë në studiot televizive situata ka qenë krejt ndryshe. Dy ditë më parë, miqtë e kryeministrit kanë marrë “leje” në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil për uljen e një avioni privat që mbante në të një mik special. Më pas ata kanë komunikuar me policinë e Tiranës për të rregulluar gjithçka. Burime nga aeroporti por edhe policia e Tiranës pohuan se sapo ai ka zbritur në Rinas është marrë nën mbrojtjen e policisë. Krerët e policisë së Rinasit dhe efektivët e thjeshtë janë vënë në dispozicion të Damir Fazlliç. Nga ana tjetër, policia e Tiranës kishte rregulluar që patrullat e motorëve të shoqëronin makinën e tij gjatë të gjithë rrugës. Ata do të bënin ndërrim me radhë, si në një stafetë. Më pas efektivët e komisariatit numër katër kanë qëndruar në gatishmëri dhe kanë bërë rrethimin e perimetrit të zonës. Në pamjet televizive dukeshin qartë punonjës të policisë së Rinasit, asaj të Tiranës por edhe punonjës së Gardës së Republikës, ata që merren me ruajtjen e personaliteteve. Ata ishin urdhëruar që të ishin në shërbim të njeriut të fuqishëm që erdhi nga jashtë. Pasi mbaroi intervistën, Fazlliç hipi sërish në makinë, dhe u nis drejt Rinasit. Gjatë të gjithë kohës ai u shoqërua sërish nga truprojat shqiptare të Gardës dhe Policisë së Shtetit sikur të ishte një nga personalitetet më të mëdhenj të ardhur ndonjë herë në Shqipëri.
I shtrenjti Fazlliç...Sali Berisha për herë të parë mbajti premtimin. Ndoshta ishte premtimi më idiot që kishte dhënë gjatë 18 viteve karrierë politike por ai e mbajti.
Miku i tij i shtrenjtë (siç e kanë quajtur njëri tjetrin me një lloj ekstaze fare të pavend), Damir Fazlliç erdhi në Tiranë. Ai e solli “trafikantin dhe sekserin” e Ballkanit në Tiranë. Por nuk e solli kur ishte vetë. Gjeti zgjidhjen më të mirë. Damir Fazlliç mbërriti dje në Tiranë në një kohë kur kryeministri ndodhej në Gjermani, në një vizitë pune. Rastësisht me të ndodhet edhe ministri Basha. Fazlliç pra, u ftua nga disa njerëz krejt të paanshëm. Ai u ftua nga media e (pa) anshme shqiptare vetëm sa për të dhënë një intervistë super të shpejtë. Erdhi, foli, iku, ishte motoja e vizitës së djeshme.
Damir Fazlliç zbarkoi në Rinas me një avion privat. Çarteri ishte nisur nga Londra me urgjencë dhe ka ndaluar vetëm në kryeqytetin shqiptar. Vizita duhet të mbahej e fshehtë por më pas organizatorët menduan që ta përhapnin lajmin në media. Në orën 13.00 Damir Fazlliç u ul në Rinas me avionin privat. Aty ai pritej nga një makinë televizioni, e cila ishte tepër e gatshme që ta takonte.
Organizatorët e takimit kishin caktuar një gazetare të njohur që ta priste “mikun” boshnjak në aeroport. Pak minuta më pas, ajo u ngjit në makinën e tij. Por Fazlliç me sa duket edhe pse e kishte bërë këtë rrugë edhe herë të tjera, edhe pse ishte i mbrojtur nga një gazetare, kërkoi më shumë siguri. Kjo nuk ishte ndonjë problem për organizatorët e takimit.
Mjaftoi një telefonatë (në Gjermani të ketë shkuar thirrja? Nuk e besojmë..) dhe punonjësit e makinat shtetërore, ato që paguhen nga paratë e shqiptarëve, u vendosën në dispozicion të tij. Një eskortë e veçantë ka shoqëruar biznesmenin boshnjak deri në vendin e paracaktuar, aty tek “ullishtja”.
Fazlliç hyri serbes në zyrat e televizionit, dha intervistën e tij në anglisht dhe më pas qëndroi në pritje sa të mblidheshin gazetarë të shumtë.
Pak minuta më pas sheshi tek “ullishtja”gëlonte nga gazetarët që kishin “mprehur” kamerat. Por edhe këtë herë Fazlliç tregoi që është tip i shkathët. Ai doli nga dera e pasme, ajo dera me qepen që të gjithë e panë më pas në TV. Dhe këtë herë doli si “njeri”. Nën eskortën e drejtuesit të emisionit ai ndaloi para makinës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, vetë Damir Fazlliç nuk mund të hapte derën e makinës. Drejtuesi i shkathët i emisionit rendi dhe i hapi derën atij njeriu. Pas kësaj, u sigurua që shoferi të kishte marrë më së miri të gjitha udhëzimet, dhe i dha miratimin që të nisej. Ai u largua sërish me makinën e gazetares që e shoqëroi. Madje për të u fol se do të bëhej edhe personalitet pasi do të thërritej në studio të ndryshme e do të pyetej: Më rrëfe minutat e tua me të madhin Damir Fazlliç...
Në këtë moment në TV u shfaqën edhe disa persona të njohur si punonjës së Gardës së Republikës, nga ata që shoqërojnë personalitetet. Edhe Fazlliç erdhi në Tiranë si personalitet, e jo si një njeri i kërkuar nga drejtësia, i akuzuar nga të gjithë si mashtrues. Por nga ana tjetër, ai është i pastër. Edhe pse ka krye aktivitete tepër të dyshimta në Shqipëri, ai është i mbrojtur. Ai dhe njeriu që duhet ta kontrollojë, drejtori i përgjithshëm i tatimeve, kanë një mik të përbashkët, kryeministrin. Të dy kanë bërë pazare me të dhe ai u ka nga një borxh të madh të dyve..dhe të dyja duart lajnë fytyrën.
--------------------------------------------------------Prokuroria priti deri sa Damir Fazlliç u largua sërish nga Tirana dhe më pas deklaroi se kishte nisur hetimet ndaj tij
Prokuroria nis hetimet për Damir Fazlliç
Zhiti: Ndalimi dhe marrja e Fazlliç në pyetje është në vlerësim të prokurorëve të çështjes
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme “kujtohet” për hetimet ndaj Damir Fazlliçit pas shumë denoncimeve në media, pas kërkesave të shumta të opozitës për fillimin e hetimeve dhe vetëm pak orë pas largimit nga Shqipëria të serbo-boshnjakut me pasaportë angleze Damir Fazlliç, i shumëpërfolur për lidhjet e tij në afëra ilegale me kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Lulëzim Basha. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës, konfirmuan në orët e pasdites se seksioni i task-forcës së luftës kundër krimit ekonomik pranë prokurorisë së Tiranës ka filluar hetimet kryesisht. “Sot (dje) u regjistrua procedimi penal dhe kanë nisur kryesisht hetimet nga prokuroria e Tiranës. Hetimet po kryhen rreth fakteve që kanë dalë dhe janë publikuar për shtetasin Damir Fazlliç. Kaq koment kemi deri më tani”,-u shpreh zëdhënësja për shtyp e zyrës së Prokurores së Përgjithshme, Holta Zhiti. Ndërkaq, pyetjes së “Shekullit” se pse nuk është ndaluar dhe marrë në pyetje shtetasi Damir Fazlliç, zëdhënësja e Ina Ramës u shpreh se “ndalimi dhe marrja e tij në pyetje është në vlerësim të prokurorëve të çështjes”.
Ndërkohë, burimet e rezervuara pranë organit qendror të akuzës të cilët nuk dëshironin të identifikohen u shprehën për “Shekullin” se “Prokuroria e Tiranës, nuk mund të regjistrojë procedimin penal pa u konsumuar të gjitha masat administrative nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ajo nuk mund të bazohet vetëm në dokumentet e publikuara në media. Gjithashtu, janë kryer disa verifikime paraprake por që rezulton se Drejtoria e Tatimeve nuk kanë kryer asnjë veprim administrativ në lidhje me mos pagimin e taksave nga firmat e ngritura dhe shitura nga shtetasi Damir Fazlliç. Fillimi i hetimeve paraprake nga prokuroria e kryeqytetit, konkretisht nga njësia-task-forcës është bërë për të ulur tensionet dhe akuzat drejtuar prokurorisë për mos fillimin e hetimit të kësaj çështje të shumë përfolur në media”,- tha një nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme. Njeriu që duhet të japë fillimisht masat administrative është vetë i pandehuri për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, Arben Sefgjini. Ai mban ende detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve në Shqipëri të jap për mos pagimin e taksave dhe tatimeve të firmave që janë regjistruar që nga shtatori i 2005 dhe 2006, por që nuk kanë shlyer asnjë detyrim ndaj shtetit.
Të dhënat e zbuluara deri tani kanë treguar se Fazlliç ka kryer shitjen e një kompanie për 1.7 milionë euro dhe nuk ka derdhur asnjë qindarkë në tatime për llogari të shtetit, edhe pse ligji parashikon 10 % detyrim pagimi për vlerën e shitjes nga administratori i firmës Erion Isufi, i cili është kunati i ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha. Sipas burimeve zyrtare të njësisë së task-forcës së krimit ekomomik, mësohet se do të fillojë verifikimi i të gjitha dokumenteve që janë publikuar në media në lidhje me aferat e mundshme të shtetasit Damir Fazlliç në Shqipëri. Pas verifikimit të këtyre dokumenteve, pritet të nxirret një konkluzion për vazhdimin e hetimit të mëtejshëm të çështjes, ku do të kryhen verifikimet e të gjitha shit-blerjeve të kryera nga Damir Fazlliç në Shqipëri dhe funksionimi i firmave që janë regjistruar me emrin e tij. Biznesmeni boshnjak, Damir Fazlliç, sapo është liruar nga policia e Sarajevës ka udhëtuar drejt Londrës, konkretisht në veri të kryeqytetit anglez ku banon në një lagje të pasurish. Por, pas akuzave të shumta dhe me kërkesë të “qeverisë” shqiptare ai vjen në Tiranë për të treguar për një TV të gjitha lidhjet e tij me Shqipërinë dhe më pas për pak orë largohet nga Tirana.