Aktori me diabet, makina zig-zag para përplasjes
KORçE/ GEZIM ASHIMI
Aktorit të mirënjohur, Perika Gjezit, do t’i jepet lamtumira e fundit ditën e sotme. Vonesa për varrimin e 61-vjeçarit u bë për shkak të djalit të tij që ndodhet në SHBA. Ai është nisur për në Korçë, pasi mësoi lajmin e aksidentit tragjik që i ndodhi të atit, në afërsi të Voskopojës. Por mbërritja e tij mësohet se u bë e mundur vetëm në orët e mbrëmjes së djeshme. Trupi i Perika Gjezit është mbajtur në morgun e Korçës, në pritje të djalit të tij nga kontinenti i largët. Sipas burimeve nga të afërmit e familjes, aktori korçar priste së afërmi dy gëzime familjare, martesën e vajzës dhe të djalit të tij. Por ai nuk mundi ta shihte as djalin dhëndër dhe as vajzën e tij nuse. Ai po kthehej nga Voskopoja, kur u përplas për vdekje, në afërsi të fshatit Gjonomadh, me një automjet tij Xhip. Burime pranë grupit hetimor u shprehën se aktori ka pasur shqetësime shëndetësore, pasi vuante nga diabeti. Kjo dyshohet t’i ketë sjellë atij humbjen e kontrollit të mjetit dhe si pasojë edhe aksidentin tragjik. “Perika Gjezi dyshohet të ketë humbur vetëdijen nga një krizë e tillë shëndetësore, por kjo do të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore”, bënë të ditur burimet në polici. Hetimet në vendin e ngjarjes, rezultuan se autovetura e drejtuar prej aktorit ka pasur disa devijime dhe zig-zag-e në rrugë para se të përplasej me makinën tjetër. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit tjetër, 20-vjeçarin Xhuliano Islami, me të cilin u përplas makina e 61-vjeçarit. Ndërkaq, në Teatrin e Korçës kanë filluar përgatitjet për homazhet në nderim të Perika Gjezit, i cili njihet si një prej artistëve kryesorë të skenës së këtij teatri. Ai i përkiste një brezi të spikatur aktorësh që mbanin gjallë veprimtaritë skenike të Teatrit të Korçës, duke luajtur krahas aktorëve të tjerë të njohur, si Pandi Raidhi, Thimi Filipi, etj. Teatri i Korçës ka vendosur të kryejë të gjitha nderimet për aktorin Gjezi, që u nda nga jeta prej një aksidenti automobilistik, duke bërë vlerësimet më të mira për karrierën e tij të pasur artistike, si në teatër edhe në kinematografi.
Berisha ngushëllon familjen e aktorit
Kryeministri Berisha i ka dërguar dje një mesazh ngushëllimi familjes së aktorit Perika Gjezi. “Perika Gjezi, përmes roleve të interpretuara me mjeshtëri prej tij në disa nga filmat më të bukur shqiptarë, do të mbetet në zemrën dhe mendjen e Korçës së tij të dashur. Aty ku u lind, u rrit dhe u shkollua duke u mëkuar me pasionin dhe dashurinë për këtë art fisnik, si dhe do të mbetet i pashlyer në zemrën dhe mendjen e të gjithë artdashësve shqiptarë”, thuhet në mesazhin e kreut të qeverisë.