E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis shtyrja e gjyqit te “Banda e Durrësit”



TIRANE – Një nga prokurorët e çështjes në gjykimin e të akuzuarve të “bandës së Durrësit” tek Krimet e Rënda i kërkoi dje gjykatës zhvillimin e seancave të këtij procesi tre herë në javë. Kërkesa u kundërshtua nga mbrojtësit në proces. Dje seanca e radhës u shtye për shkak të mungesës së avokatëve, një fenomen ky, i cili edhe më parë është bërë shkak për shtyerjen e procesit për mëse dy vjet. Gjykata pohoi se do të shprehet në seancën e radhës në lidhje me këtë kërkesë. Sipas prokurorit Anton Martini, Gjykata duhet të shihte mundësinë e zhvillimit të gjyqit tre herë në javë. Sipas prokurorit kërkesa lidhej me faktin e afrimit të skadimit të afateve të paraburgimit për të pandehurve. Gjithashtu edhe me faktin që dëshmitarët që priten në proces janë banorë të Tiranës dhe Durrësit, ç’ka sipas tij, nuk paraqet vështirësi në njoftimin e tyre. Kur avokatë shfaqën pretendime të kundërta me prokurorin kryesuesi Brahimllari, u kujtoi palëve se referuar dispozitave ligjore gjyqi mund të zhvillohet edhe çdo ditë të javës. Ndërkohë mungesa e disa prej avokatëve u bë shkak dje për moszhvillimin e seancës dhe shtyrjen e saj. Pas apelit të palëve nga kryesuesi i seancës, gjyqtari Gurali Brahimllari, rezultoi se të pandehurit Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishaj ngelnin pa mbrojtje. Gjykata vendosi shtyrjen e seancës, zëvendësimin e avokatëve që mungonin me një avokate kryesisht, si edhe njoftimin e Dhomës Kombëtarë të Avokatisë në lidhje me mungesën e tyre. Shtyrja e seancës dje çoi dhe në dështimin e pyetjes së shtatë dëshmitarëve, të cilët ishin paraqitur në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda. Procesi në ngarkim të “bandës së Durrësit” është në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të thirru nga ana e prokurorisë. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›