Aktorja Drita Pelinku, një jetë në fotografi
"A e kam merituar"? Kjo është pyetja që aktorja i bënte vetes teksa shihte sallën e mbushur plot me njerëz. Kishin ardhur të gjithë për të. Dje, në ambientet e Teatrit Kombëtar, Arkivi i Shtetëror i Filmit, organizoi një aktivitet për nder të aktores së madhe, Drita Pelinku. Me këtë rast u prezantua edhe një album me fotografi nga jeta artistike, por edhe personale e aktores. Janë aty fotografi, qysh nga dita e parë që ajo vuri këmbën në Teatrin Popullor e dhjetëra role që ndjekin njëra-tjetrën. Herë me paruke e fustane me zhuponë, si një damë e shek. XVIII, herë në petkat e malësores, së gruas së thjeshtë, apo hallës me huqe. Të shoqëruara këto edhe me copëza nga ditari i aktores, apo mendime të kolegëve të saj, për të. "Ky album, që pasqyron jetën time artistike, më bën të mendohem thellë për të kaluarën time dhe për ato gjëra që nuk i kam menduar më parë. Tani që i shoh në album, shoh që paskam pasur një të kaluar, që unë kam dëshiruar që ta kem, por nuk e mendoja se e kisha", thotë aktorja e emocionuar. është një e kaluar e gjatë. Janë shumë ndodhi, si në jetën artistike, ashtu edhe në atë pedagogjike, pasi siç thotë ajo, jeta e saj ka qenë ndarë mes aktrimit, pedagogjisë dhe familjes. "Kam punuar 33 vjet dhe mendoj që ajo punë ka ndihmuar pak edhe në jetëgjatësinë time, pasi rri gjithnjë me të rinj. Unë në shtëpinë time kam një studio, ku i pres edhe sot studentët që vijnë për të marrë një këshillë, që kanë nevojë për ndihmë, por qoftë edhe për të pirë një kafe. Por jo vetëm studentët e tanishëm, por edhe të shumë viteve më parë, që sot janë këtu. Të rrish me të rinjtë, do të thotë të marrësh diçka. Ata sjellin mendimin bashkëkohor, të cilin unë përpiqem ta kap, por të kapësh mendimin bashkëkohor, është shumë e vështirë, sepse koha rend, nuk ecën dhe unë nuk kam më këmbë të rend, nuk kam më fuqi", thotë ajo, teksa mban me mund buqetat me lule që i kanë dhuruar. Kur dy vjet më parë, u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar për të luajtur rolin e Rouz, ajo tha se kjo ishte dalja e saj e fundit në skenë, por dje, ajo nuk e fshehu, se ende vazhdon të tundohet për të bërë të tjera role. Në takimin, kushtuar aktores, të shumtë ishin ata që donin të ndanin me të tjerët ndonjë kujtim nga bashkëpunimi me Drita Pelinkun. Dhe gjithnjë ishte i mrekullueshëm, eksperienca, që nuk njihnin të dytë.