Londo: Një vepër mbi konfliktin mes brezave
ALMA MILE
Shpirtra të trazuar, njerëz plot dilema, dëshira për të dalë në dritë… Personazhet e dramaturgut John Millington Synge rreken të shpëtojnë nga një ambient mbytës, anadollak, ku vetëm pihet e bëhen thashetheme. Regjisori Kiço Londo ia ka "huazuar" dramaturgut irlandez, për t'i sjellë në skenën e Teatrit të Metropolit. Mbrëmë, komedia "Playboy i trojeve tona" pati një shfaqje për përfaqësuesit e mediave dhe miqtë e teatrit dhe duke filluar që sot nis shfaqja për publikun e gjerë. Londo tregon se përse ka zgjedhur këtë vepër dhe ku rezonon ajo me realitetin shqiptar.
Z. Londo, në Teatrin e Metropolit, ju sillni një shfaqje me një titull disi të "çuditshëm", ç'është kjo vepër?
Shfaqja "Playboy i trojeve tona" është një vepër e John Millington Synge, një dramaturgu të shquar irlandez, i cili i dha frymë dhe portret gjithë dramaturgjisë moderne të shek. XX. është një vepër tepër delikate, për shkak të dimensionit të madh që ka. është një vepër me shtrirje, që nga realizmi, te poezia e deri te kufijtë e alegorisë. Pra është një vepër thellësisht simbolike dhe ashtu është edhe trajtimi që i kemi bërë. është një premierë në sallën "Bodrum" të Teatrit të Metropolit, që është pararendëse e sallës "Globus", të cilin kryeqyteti do ta ketë në dispozicion në fund të muajit maj, duke bërë të mundur kështu të vetmin institucion me tre salla, jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë hapësirën shqiptare.
Tentoni gjithnjë drejt aktorëve të rinj, përse?
Stafi i aktorëve është një element shumë i rëndësishëm. Janë 12 aktorë, që kanë mbaruar shkollën, kryesisht vitet e fundit. Qëllimi im është të grumbulloj artistë të rinj, të cilët kanë ëndrra, dilema, trazimet e tyre shpirtërore dhe bashkë me ta, t'i shtojmë edhe publikun, këtij teatri. Bie në sy edhe pjesëmarrja e Sesilia Plasarit, e cila nuk është vetëm përkthyese, por edhe luan një nga rolet kryesore të veprës dhe mendoj që është një nga pikat e fuqishme të spektaklit. Por unë nuk do lija pa përmendur dhe pjesën tjetër të aktorëve. Kjo shfaqje ka edhe elementë të tjerë simpatikë. është riardhja në skenën e Metropolit të skenografes dhe kostumografes Berina Kokona, e cila më parë ka realizuar kostumet dhe skenën e Molierit, "George Dandin" dhe të "Kopshtit të vishnjave". Pjesë e spektaklit është edhe këngëtarja Linda Rukaj, e cila është protagonistja e grupit simpatik "Linda në botën e çudirave".
çfarë përpiqeni t'i kumtoni publikut përmes kësaj vepre, të shkruar nga një irlandez në fillimshekullin XX?
Vepra nuk ka ndonjë kuptim të drejtpërdrejtë, sepse unë mendoj që të gjitha shfaqjet me kuptim të drejtpërdrejtë janë shfaqje të tipit "shkoi e vajti". Vepra shtron një dilemë shumë të madhe: "T'i vrasim apo jo baballarët, t'i vrasim, apo jo prindërit?!" është një raport mes etërve dhe bijve. Pra, kjo është ajo dilemë që ne shtrojmë përpara publikut. Pa dyshim që e gjithë kjo dilemë është në kuptimin simbolik. Në aspektin e asaj që unë mendoj, duhet të pushojë kjo vrasje ima-gjinare dhe duhet që brezat të ecin në mënyrë paralele dhe të gjithë ata që vijnë më pas, të përfshijnë në mënyrë spirale brezat e mëparshëm dhe kështu të ecet. Pra ky është kuptimi simbolik, i shkruar me shumë humor. Po sigurisht, kjo është një dilemë edipiane "Ti vrasim, apo jo prindërit?!". çdo djalë e vret dy herë babanë e tij, një herë në moshën 3-vjeçare dhe një herë në adoleshencë, por gjithsesi pa u ndalur shumë këtu, thelbi i shfaqjes sonë është që të gjithë duhet të largohemi nga kjo jetë e zymtë dhe të ecim drejt një jete më të mirë, drejt dritës, dialogut, mirëkuptimit, dashurisë.
Personazhi kryesor kthehet në një mit për faktin se ka vrarë babanë, si mund ta zbërthejmë këtë në raport me realitetin shqiptar?
Vepra ka një rezonancë shumë të madhe, sepse personazhi kryesor, lëviz nga njëra krahinë në tjetrën, largohet nga një botë injorantësh dhe bie, po në një botë injorantësh, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse pinë, tregojnë historira dhe kapen pas miteve. Dhe në këtë pikë, shfaqja rezonon shumë me realitetin tonë. Gjithashtu ka edhe tema të tjera, që e bëjnë shumë të prekshëm për realitetin tonë.
Kjo është një vepër, që gjatë rrugëtimit të saj është sulmuar jo pak….
Po, është e vërtetë. Në kontekstin artistik ajo është një vepër që ka shkaktuar probleme. Ka krijuar probleme edhe kur është vënë për herë të parë në Irlandë, ku shfaqjet janë ruajtur me polici. është quajtur një vepër që vë në lojë seksin femër. Unë nuk mendoj kështu. Them që kemi në dorë një vepër të madhe dhe Teatri i Metropolit kujdeset shumë për repertorin. E ka shumë të fortë dhe do kujdeset që të bëhet akoma më i fortë dhe më pranë njerëzve.
ç'është kjo tendencë e juaja, për të vënë në skenë vepra provokuese?
Këto janë vepra që kanë të bëjnë me komplekse edipiane, froidiane… Mendoj se ne duhet ta shohim njeri-tjetrin më mirë në sy. Të shohim më mirë universin dhe të vërtetën tonë dhe e kjo e vërtetë është shumë poshtë. Kur ne të shikojmë në këtë nivel, do të shohim që edhe komunikimi me jetën tonë do të jetë më i drejtpërdrejtë. Nuk është një tendencë ekzibicioniste. Nuk kam për qëllim të provokoj.
Po këto vepra, nuk mund të jenë për të gjithë, kanë një publik më të limituar, apo jo?
Shpesh ka tendenca për t’u kapur pas teatrit dhe në teatër shkojnë shumë. Teatri i Metropolit, nuk ka për qëllim të bëjë këtë gjë, t'i mëshojë teatrit, por artit të teatrit, i cili është pasioni i më pak njerëzve. I njerëzve që kanë trazime shpirtërore, prandaj sallat tona janë të konceptuara në mënyrë jo klasike, jo skena në një anë dhe publiku në një anë. Ato janë të ndërtuara në mënyrë të tillë, që nuk mund të ketë një vendosje të tillë. është shumë e rëndësishme distancimi nga teatri i paraqitjes dhe përpjekja për t’u kapur pas teatrit të gjallë, që zhvillohet në kohë dhe distancë reale me spektatorin. Ashtu sikundër ne kujdesemi për raportin me aktorin, kujdesemi edhe për raportin me publikun, deri në frymëmarrjen e tij.
Vepra
Autor: John Millington Synge
Përktheu: Sesilia Plasari
Regjisor: Kiço Londo
Skena&Kostumet: Berina Kokona
Muzika: Linda në Botën e çudirave
Me aktorët: Lulzim Zeqja, Florian Agalliu, Xhejni Fama, Marsela Lena, Besmir Bitraku, Redian Mullaj,Sesilia Plasari, Alban Musta, Ina Gjonçi, Adriana Tolka, Aida Bajraktari.
Salla"Bodrum" në Teatrin e Metropolit.
Nga 11 mars-18 prill 2010, ora 21.00