Aktpadia e Vokshit, Apeli rrëzon gjobën ndaj Shalsit

Eduard Shalsi
Deputetja e PD fitoi në Shkallën e Parë 1 milion lekë dëmshpërblim.
Gjykata e Faktit dënoi deputetin me shkelje në proces
Gjykata e Apelit Tiranë rrëzoi dje vendimin gjyqësor që gjobiti deputetin socialist Eduart Shalsi, për deklaratat e tij publike drejt deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi.
Shalsi u padit nga Vokshi pas pretendimeve të saj se ato deklarata i kishin cenuar nderin, dinjitetin dhe reputacionin. Një trupë gjykuese e Apelit prishi vendimin e datës 20 qershor 2011, sipas të cilit Eduart Shalsi duhet ti paguante Vokshit një shumë prej 1 milion lekësh të rinj. Po sipas vendimit të Apelit, dosja do të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Burime pranë Gjykatës së Apelit bënë të ditur se shkak për prishjen e vendimit kanë qenë disa shkelje procedurale të vërejtura në gjykimin e parë. Argumentet e plota do të zbardhen pas zbardhjes së arsyetimit të vendimit.
GJOBA
Eduart Shalsi u përball në Gjykatë më kolegen e tij Vokshi pas disa deklaratave në emër të saj, të artikuluara në dalje publike në gusht të vitit 2010. Në këto deklarata, Shalsi etiketonte deputeten Vokshi si të përfshirë në afera korruptive. Më 17 shtator të këtij viti, deputetja Vokshi depozitoi një padi kundër Shalsit, ku kërkonte shpërblim dëmi jo pasuror. Sipas saj, deklaratat e deputetit Shalsi ishin shpifje dhe fyerje, të cilat i ishin servirur publikut shqiptar me një qëllim të qartë denigrimin dhe përdhosjen e integritetit dhe dinjitetit të saj. Gjatë gjykimit dhe në fazën e konkluzioneve përfundimtare, deputetja Vokshi kërkoi shpërblimin e dëmit jo pasuror të shkaktuar në shumën 70 mijë euro. Pas njëmbëdhjetë seancash shqyrtimi gjyqësor, gjykata vendosi deklarimin e fajshëm të deputetit Shalsi. Detyrimin e të paditurit Eduart Shalsi të shpërblejë dëmin e shkaktuar nga përhapja e fakteve të pavërteta ndaj paditëses Albana Vokshi duke e cenuar atë në nderin, dinjitetin dhe reputacionin e saj, në masën 1 milion lekë të rinj, thuhej në vendim. Në vlerësimin e Gjykatës, i padituri nuk ka pasur për qëllim mbrojtjen e interesit publik, por ka pasur si qëllim fyerjen dhe denigrimin e nderit dhe të personalitetit të paditëses duke e cenuar këtë të fundit jo vetëm në ndjenjën dhe integritetin e saj personal ne kuptimin subjektiv, por duke synuar personalitetin dhe imazhin e saj publik, arsyetohej në vendimin e Shkallës së Parë.
PADITE E VOKSHIT
Deputeti Eduart Shalsi është vetëm një nga lista e deputetëve të opozitës, të paditur për shpifje nga ana e deputetes së PD-së, Albana Vokshi. Të tjerë deputetë të paditur prej saj po për shpërblim dëmi jo pasuror janë Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Eltar Deda, Vasilika Hysi, Artan Gace, Erion Braçe, Taulant Balla dhe Sajmir Tahiri. Për tre prej këtyre padive gjykata e ka mbyllur gjykimin, duke detyruar deputetët të dëmshpërblejnë paditësen Vokshi në shumat përkatësisht, Artan Gace 2 milionë lekë, Sajmir Tahiri 3.3 milionë lekë dhe Erion Braçe 1 milion lekë. Paditë e tjera janë ende duke u shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës.
ARMAND BAJRAMI