E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Opozita po përmbush detyrimet e veta për statusin

Berisha në konferencën me partitë Popullore Europiane

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në konferencën me temë Ballkani drejt integrimit europian në Bruksel, e organizuar nga Grupi i Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian. Shefi i maxhorancës deklaroi para eurodeputetëve vullnetin e palëkundur të qeverisë për të përmbushur reformat e kërkuara për të mundësuar që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Berisha, i pyetur nëse do ta marrë Shqipëria këtë vit statusin, deklaroi se: Bindja ime është se qeveria do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj. Deri tani, unë mund të them se opozita po përmbush detyrimet e veta. Ky është vlerësimi im. Qeveria po punon intensivisht për të përmbushur detyrimet dhe po i përmbush ato. Natyrisht, ky është një proces që po përsoset në mënyrë të vazhdueshme, por qeveria po punon me seriozitetin më të madh në të gjitha fushat, në mënyrë që të përmbushë standardet e kërkuara, theksoi kreu i ekzekutivit shqiptar. Më herët, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për interesin e madh që ka treguar grupi parlamentar i Partive Popullore Europiane ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve në këtë vend. Shqipëria, nënvizoi Kryeministri, nuk synon gjë tjetër më të madhe se integrimi europian, një proces i cili duhet mbështetur tërësisht mbi performancën. Ndërkohë, Kryetari i grupit të PPE-ve, Joseph Daul, deklaroi dje mbështetjen e PPE-ve për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Europa është pa diskutim zgjidhja dhe jo problemi, kështu që zgjerimi është në synimet tona dhe në vëmendjen tonë në të ardhmen. Ky takim, pikërisht në një periudhë të vështirë për BE-në dhe në kohën e krizës financiare, është një tregues dhe një sinjal shumë i fortë për rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së për PPE-të dhe ne, si grup parlamentar i PPE-së, do të bëjmë gjithçka për të mbështetur integrimin e Ballkanit Perëndimor, u shpreh Daul. Në të njëjtën linjë u shpreh dhe eurodeputeti Eduard Kukan, i cili ka vlerësuar klimën e bashkëpunimit midis palëve në Shqipëri. Axhenda e integrimit është e qartë. Miqtë tanë shqiptarë kanë një listë prioritetesh dhe reformash, me të cilat duhet punuar derisa të bëhet vlerësimi i radhës, për sa i përket integrimit europian. Siç dëgjuam nga Kryeministri Berisha, ata po punojnë fort në të gjitha këto drejtime, por që kjo të jetë plotësisht e suksesshme, lipset dialogu dhe bashkëpunimi midis të gjitha palëve dhe rezultatet konkrete që duhet të vijnë nga ky dialog, janë argumenti më bindës për ne, theksoi Kukan.

Njohja e Kosovës
Gjatë konferencës së zhvilluar në Bruksel me temë Ballkani drejt integrimit europian, eurodeputeti Bernd Posselt theksoi se është shumë e rëndësishme që 5 vendet e mbetura të BE-së të njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për të ardhmen e BE-së, tha ai, ndërsa theksoi se duhet të punohet edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Presidenti Topi në Samitin Euro-Aziatik në Turqi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, dhe në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, u nis dje për të marrë pjesë në Samitin e 15-të Ekonomik Euro-Aziatik në Stamboll, me ftesë të drejtuesit të fondacionit Marmara, Dr. Akan Suver. Në punimet e Samitit do të jenë të pranishëm autoritete të larta shtetërore të vendeve europiane e aziatike, kryetarë shtetesh, si Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, ish-presidenti turk, Sulejman Demirel, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zëvendëspresidentë, kryetarë qeverish e parlamentesh. Të pranishëm në këtë samit do të jenë edhe sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Ekmeledin Ihsanoglu, drejtues e përfaqësues organizatash të rëndësishme nga shumë vende të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›