E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandati i PS, ambasadori Arvizu zhbllokon ngërçin

Rama dhe Arvizu

Këshilli i Mandateve miraton relacionin e përbashkët për seancën.

Tërhiqet maxhoranca, gjendet pakti me PS në Kuvend.

Maxhoranca u tër-hoq dje nga pozicioni i saj për të çuar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim mandatin e Gjon Bardhit. Në mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetet, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka paraqitur një relacion lidhur me të gjithë historikun e lënies së mandatit të deputetes socialiste Rudina Seseri dhe marrjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi. Bashkangjitur me këtë relacion u paraqit në mbledhjen e djeshme dhe një draft-vendim që duhet ta marrë seanca plenare e ditës së sotme për tiu drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të pranuar dorëheqjen e Gjon Bardhit nga mandati i Kuvendit dhe zëvendësimin e tij me emrin e radhës në listën e PS. Klima në Këshillin e Mandatave dje nuk kishte asgjë të përbashkët me atë të një jave më parë. Palët ishin më të çtensionuara dhe larg deklaratave sulmuese mes tyre. Kjo situatë duket se erdhi pas takimeve të ambasadorit amerikan në Tiranë pasditen e së martës me Kryeministrin Berisha dhe dje paradite me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Edhe kësaj radhe zgjidhja e një ngërçi në politikë erdhi pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar.
Këshilli

Këshilli i Rregullores

Këshilli ka miratuar një draft-vendim që do të miratohet sot në seancën plenare të Kuvendit, ku thuhet se Kuvendi pranon dorëheqjen e Gjon Bardhit nga mandati i deputetit dhe njofton KQZ për vendin vakant. Gjithashtu, Kuvendi do ti kërkojë Komisionit të Reformës Zgjedhore që në rishikimin e Kodit Zgjedhor të ketë parasysh në punën e tij që të saktësojë në draftin e Kodit Zgjedhor interpretimin e fatit të listës së kandidatëve që nuk janë zgjedhur deputetë. Në mbledhjen e djeshme, kryetarja e Kuvendit, duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit të Mandateve, është shprehur se qëndrimin e saj të mëparshëm e kishte krijuar pas konsultave me kostitucionalistë, të cilët, sipas saj, shihnin nevojën e interpretimit të rastit Bardhi, i cili konsiderohej juridikisht me dy mandate. Topalli, e tërhequr dhe nga një qëndrim i ashpër i dy ditëve më parë kur e akuzoi Edi Ramën nga podiumi i Kryesisë së Kuvendit, pranoi një propozim, sipas saj, të ardhur nga deputetët e djathtë për tiu drejtuar seancës së Kuvendit, përmes së cilës të pranohej dorëheqja e Gjon Bardhit dhe mbajtja prej tij e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Krujës. Duke iu drejtuar kreut të Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, Topalli është shprehur se më në fund po ai pranonte kërkesën e KQZ-së. O Gramoz, ti radhën e kaluar, the që vendimi i KQZ-së është i pavlefshëm. Kësaj radhe thua që është i vlefshëm. Të falënderoj shumë Gramoz që paske ndryshuar pozicion dhe ke dalë te pozicioni i Ramës, mësohet të ketë thënë Topalli në mbledhjen e djeshme. Por, anëtari socialist i këtij këshilli, Damian Gjiknuri, e ka cilësuar të tepërt kalimin në seancë të kërkesës që Kuvendi duhet ti dërgojë KQZ-së. Nuk ka pse të shkojë në seancë, Këshilli mund ti drejtohet direkt KQZ-së. Këshilli e konstaton vendin vakant dhe i kërkon KQZ-së që të përmbushë vendin vakant me kandidatin e radhës në listën e PS, mësohet të jetë shprehur Gjiknuri. Por, deputeti demokrat, Ilir Rusmali, për të treguar tërheqjen e maxhorancës nga qëndrimi i mëparshëm, mësohet të jetë shprehur se palët duhet të mos pozicionohen për rastin Bardhi. Për çështjen e përputhjes ose jo të mandateve, ne si palë duhet të mos shprehemi, të jemi neutralë. Nëse mbajmë secili qëndrimet tona, asnjëri nga ne nuk është gjykatës, dhe kjo çështje duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Ne po e ngrijmë pozicionin tonë ndaj këtij rasti, sepse duam të gjejmë zgjidhje, mësohet të jetë shprehur Rusmali.

Mandati
Pas lënies së mandatit të deputetit Gjon Bardhi, i cili u zgjodh në vitin 2011 kryetar i Bashkisë së Fushë-Krujës, lista e PS-së zbret tek Edison Konomi, i cili është i shtati. Konomi është aktualisht drejtor i një banke të rëndësishme në qytetin e Durrësit, ndërsa ishte zgjedhur në 2009-n kryetar i Partisë Socialiste në bashkinë e këtij qyteti.

Qëndrimi i Grupit të PS
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist të së martës në mesditë, nënkryetari i tij, Erjon Braçe, kërkoi nga kryetari Rama se cili do të jetë qëndrimi në Kuvend për mandatin e Rudina Seserit, i cili, sipas tij, po zvarritej nga kryetarja e Parlamentit. Përgjigjja e Ramës ishte se ende ishte në pritje deri në fund të javës që të mblidhej Këshilli i Mandateve për të vendosur se çdo të bëhej me mandatin. Duket se palët kishin nisur të lëviznin me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

Islami: KQZ me dy vendime
Deputeti i pavarur, anëtar i Këshillit të Mandateve, Kastriot Islami, tha se formalisht Gjon Bardhi ka dy mandate nga KQZ. Ka dy vendime të KQZ-së për të njëjtin person që ka dy mandate, atë të kryetarit të Bashkisë dhe atë të deputetit. Edhe pse ai ka paraqitur dorëheqjen, nga pikëpamja strikte ligjore, i njëjti person ka dy mandate, dhe kjo është një situatë që është diskutuar. U vendos që kjo çështje të zgjidhet në seancë plenare nëpërmjet një argumentimi juridik dhe të mos ndodhë më në të ardhmen, u shpreh dje Islami.

Arvizu: Boshllëqet nuk janë të mira, palët të gjejnë zgjidhje
Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, bisedoi dje paradite për 90 minuta me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Mandati i PS pas dorëheqjes së Rudina Seserit duket se ishte në qendër të takimit. Pas daljes nga zyra e Ramës, në një prononcim të qartë për mediat, ambasadori kërkoi nga palët që të mbushin shpejt hapësirat pas dorëheqjes nga mandati. Jam i vetëdijshëm për çështjen e mandatit, por duhet të bisedoj me më shumë njerëz për implikimet dhe për të kuptuar më mirë se çfarë thotë ligji. Them se duhet t`i kthehemi ligjit. E kuptoj që kreu i Bashkisë së Fushë-Krujës është i dyti në listë, e kuptoj që ai ka shprehur gatishmërinë për të mos dhënë dorëheqjen nga posti, por nuk kam një ide të qartë. Shpresoj të jetë në përputhje me ligjin. Këto hapësira nuk janë të mira, të dyja palët duhet të gjejnë një zgjidhje për t`i mbushur ato sipas ligjit, u shpreh Arvizu.
Ambasadori tha se me Ramën kishte biseduar dhe për reformën zgjedhore. Folëm shumë mbi reformën zgjedhore, por në njëfarë mase edhe për reformën parlamentare. Mendoj se në shumë gjëra ka pasur njëfarë përparimi, por disa gjëra nuk po lëvizin aq shpejt sa mundet. Është e qartë që është diçka që të dyja palët duhet ta zgjidhin; mendoj, fundi i prillit ka qenë afati për të cilin të dyja palët kishin rënë dakord që duhet arritur dhe, sigurisht, është shpresa dhe pritshmëria jonë që të dyja palët të bëjnë gjithçka munden për tiu përmbajtur atij afati, u shpreh Arvizu.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›