E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktvendimi për Breivik shpallet të premten

Të premten pritet të shpallet aktvendimi për krimin më të madh të kryer në Norvegji që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Më 24 gusht, Gjykata e Oslos do të shpallë akvendimin për Anders Bering Breivik, i cili në korrik të vitit të kaluar fillimisht vrau tetë persona në kryeqytetin norvegjez, e pastaj edhe 69 të tjerë në ishullin Utoya.

Po qe se gjykatësit vërtetojnë përgjegjësinë e tij kriminale, gjë që është shumë e pritshme, Breivik mund të dënohet maksimalisht me 21 vjet burgim. Nga ana tjetër, në rast se shpallet i sëmurë mendor, vrasësi serik norvegjez do të mund të përfundojë në ndonjë institucion psikiatrik të vendit, raporton agjencia AFP.

Ndryshe, gjatë gjykimit, Breivik ka pohuar disa herë se “vrasjet ishin të nevojshme, për shkak të shpëtimit të Norvegjisë nga multikulturalizmi” i imponuar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›