Duan negociata me Britaninë

“Përkundër deklaratave të pandershme, ofenduese dhe të papranueshme, ne edhe më tej jemi të gatshëm për dialog”, deklaroi presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa.
"Nuk presim kërkimfalje, por që Britani të pranojë gabimin serioz që ka bërë kur ka kërcënuar se do të ndërhyjë në ambasadën tonë për të arrestuar z. Julian Assange”, shtoi ai.
Gjatë fundjavës së kaluar Ekuadori ka marrë mbështetjen e shumicës së shteteve të Amerikës Latine për qëndrimet e shprehura lidhur me rastin e Assange.
Nga ana tjetër, presidenti Correa ka thënë edhe më parë se Assange do të mund të bashkëpunonte me Suedinë, po qe se ajo garanton se nuk do ta ekstradojë atë në ndonjë shtet të tretë. Ai kishte në mendje SHBA’të, ku, në rast të ekstradimit të Assange, ky i fundit do të mund të përballej me një proces gjyqësor, rezultat përfundimtar i të cilit do të mund të ishte dënimi i tij me vdekje.