E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza: 3 vjet burg për gjobën ndaj bankierit

 

TIRANE - I dërgoi mesazhe kërcënuese në celular bankierit, rrezikon dënimin me burg dhe me gjobë. Prokuroria për Krimet e Rënda paraqiti para Gjykatës konkluzionet përfundimtare të dosjes në ngarkim të Lulëzim Makishtit, të akuzuar për kërcënimin e një bankieri egjiptian për të përfituar prej tij 85 mijë euro. Në seancën e djeshme, pasi "prezantoi" para gjykatës konkluzionet përmbyllëse të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të së pandehurit Makishti për veprën penale të "shtrëngimit me atë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" dhe dënimin e tij me 3 vjet heqje lirie dhe gjobitjen me 400 mijë lekë. Në dënimin e tij përfundimtar i pandehuri Makishti do të përfitojë uljen e një të tretës së dënimit për shkak se gjatë gjykimit të tij është zbatuar gjykimi me kohë të shkurtuar. Dosja në ngarkim të Lulëzim Makishtit u dërgua për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda në ditët e para të muajit qershor. Sipas prokurorisë, ai ka dërguar disa mesazhe kërcënuese në drejtim të numrit telefonik të bashkëshortes së egjiptianit Ehab Saad drejtor i një banke të nivelit të dytë në Tiranë. Referuar kërkesës për gjykim ngjarja për të cilën akuzohet Makishti është regjistruar në shkurt të këtij viti. "Gjatë fazës hetimore është provuar se më datën 24 shkurt 2009, rreth orës 15:15 të drekës në numrin personal të bashkëshortes së egjiptianit Ehab Saad, ka ardhur fillimisht një mesazh me tekst (SMS) në gjuhën angleze. Në të, kërcënuesi i kërkonte gruas egjiptiane të mos fliste me njeri veç burrit të saj dhe të paguanin 85 mijë euro. Në të kundërt do vritej bashkëshorti i saj, Ehab Saad, ose vajza 8-vjeçare", thuhet në dosje. Ndërsa në dy mesazhe të tjera më pas Makishti pohonte se ishte punonjës policie, se po i mbante nën vëzhgim dhe se duhet të kishin kujdes. Pas kallëzimit në prokurori nga shtetasit egjiptianë, Makishti u identifikuar si autor i mesazheve kërcënuese dhe u arrestua në 29 prill. Ai nuk e pranoi akuzën e ngritur ndaj tij, ndërsa prokuroria pretendon se ka siguruar prova që tregojnë se i arrestuari është autor i ngjarjes. ai është djali i pastrueses së banesës së drejtorit të Bankës së Bashkuar Arabe. Kjo besohet ta ketë ndihmuar "gjobëvënësin" në marrjen e informacionit lidhur me numrat telefonikë në përdorim të familjes egjiptiane, si dhe me mundësinë e pagesës financiare që ata mund të kryenin.                        ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›