Përcillen nëna dhe vajza e helmuar
GRAMSH - Përcillen për në banesën e fundit nënë e bijë, të cilat u helmuan nga esenca e një limonade në Gramsh. Nafije Bujku, 39 vjeçe dhe vajza e saj 10-vjeçare F.Bujku ndërruan jetë në spitalin e Elbasanit mëngjesin e së enjtes. Viktimat ndodheshin në fshatin Kukër tek prindërit e 39-vjeçares, ku edhe shfaqën shenjat e para të helmimit. Ato u ndien keq menjëherë sapo të afërmit e tyre u servirën një pije të përgatitur vetë nga një esencë pluhuri. Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Sipas burimeve ende nuk ka dalë autopsia për të përcaktuar shkakun që mori jetën e nënë e bijë. Por janë marrë kampionët e ushqimeve dhe pijes së konsumuar prej tyre. Paraprakisht dyshohet vetëm për limonadën, e cila është konsumuar nga dy mysafiret në Kukër, ndërsa ushqimi nga hetimet paraprake rezultoi se ka qenë i përbashkët edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Viktima ka lënë edhe dy fëmijë jetimë. a.k