Shënohen dy aksidente me gjashtë të plagosur
SHKODER – KORÇE - Dy aksidente me pasojë plagosjen rëndë të 6 personave ndodhën dje në akset e Shkodrës dhe të Korçës. Tre të plagosur u regjistruan në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Shkodër-Mjedë, në afërsi të fshatit Juban në komunën Gur i Zi. Një motoçikletë tip “Yang” me drejtues Aleks Deda, 27 vjeç ka dalë nga rruga dhe për pasojë është dëmtuar rëndë Deda, si dhe dy shtetasit, Martin Shpori 20 vjeç, dhe Alban Ndreka, 28 vjeç. Ata janë dërguar menjëherë në spital nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë. Aksidenti tjetër ndodhi në aksin Korçë-Pogradec. Një motoçikletë është përplasur me një makinë pa targa. Për pasojë janë plagosur rëndë dy bashkëshortët Medai dhe Mimoza Topllari si dhe drejtuesi i mjetit, Përparim Mujaj. Shkaktari i këtij aksidenti sipas policisë është drejtuesi i makinës, i cili do të ndiqet penalisht.