E Diel, 1 Nëntor 2026

Kashar, zbulohen 87 rrënjë kanabis në parcelën pa pronar

 

Tirane - Një aksion antikanabis ka zbuluar dje rrënjët e para të bimëve narkotike për këtë vit në kryeqytet. Falë informacioneve operative që kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, oficerët e Antidrogës në bashkëpunim me Komisariatin nr. 6 kanë asgjësuar 87 rrënjë kanabis. Bima narkotike ishte mbjellë në një parcelë pranë një përroi në fshatin Kus të komunës së Kasharit. Pas të gjitha verifikimeve që janë kryer për vendin ku është zbuluar kanabisi, ka rezultuar që parcela nuk ishte në pronësi të asnjë prej banorëve të fshatit. Askush nuk është vënë para përgjegjësisë për mbjelljen e bimëve, ndërkohë që vazhdojnë verifikimet për të gjetur autorin. Sipas burimeve nga policia, mësohet se oficerët e Antidrogës kanë kontaktuar edhe kryetarin e komunës, i cili është personi i parë që duhet të kishte informuar policinë për raste të tilla. Por në bazë të deklarimeve të tij është mësuar që kryekomunari nuk ka qenë në dijeni, edhe për faktin se bimët narkotike ishin mbjellë në një vend jo shumë të ekspozuar dhe ku jo shpesh kalojnë njerëz. Burime nga policia shpjeguan se bima narkotike ishte kultivuar në periudha të ndryshme, pasi nuk kishte gjatësi të njëjtë dhe ishte mbjellë në disa parcela të vogla, të rrethuara nga bimë të tjera për të mos rënë në sy. Policia ka hedhur dyshime për bimët narkotike në zonën e Kusit, që mund të jenë kultivuar nga disa persona dhe për këtë tashmë kanë nisur hetimet për identifikimin dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore. Pas asgjësimit të parcelave në fshatin Kus, policia ka vazhduar aksionin në të gjithë fshatrat e tjerë të komunës Kashar, duke ushtruar kontrolle të imtësishme, por nuk kanë rezultuar raste të tjera. Mësohet se gjatë këtyre ditëve, Antidroga e kryeqytetit do të zhvillojë edhe aksione të tjera të ngjashme, me qëllim sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit. Gjithashtu është kërkuar bashkëpunimi me të gjitha komunat e Tiranës, me qëllim ndërhyrjen në kohë të policisë në të gjitha zonat ku dyshohet se janë mbjellë bimë narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›