E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkeljet, Këshilli "shkarkon" prokurorin e Kurbinit Tom Deda

 

Tirane - Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme votoi dje me unanimitet shkarkimin nga detyra të prokurorit të Kurbinit Tom Deda. Vendimi është marrë dje nga shumica e anëtarëve të Këshillit, i cili në katër mbledhje radhazi muajt e fundit dështoi të arrinte një rezultat për shkak të mungesës së vetë prokurorit ndaj të cilit u zhvillua procedimi disiplinor. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se shumica e anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë, votuan dje në favor të shkarkimit nga detyra për prokurorin e Kurbinit Tom Deda. prej katër mbledhjesh procedimi disiplinor i tij ka qenë në rendin e ditës, ndërsa vendimi është shtyrë për shkak se oficerët e dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë arritur t'i dorëzojnë thirrjen për pjesëmarrje në mbledhje prokurorit në fjalë. Nga ana e tij, në një deklaratë publike, prokurori Tom Deda e ka konsideruar procesin ndaj tij të paligjshëm, ndërsa ka thënë se nuk është njoftuar asnjëherë për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Prokurorisë. Javën që shkoi, ky Këshill është mbledhur dhe në lidhje me procedimin ndaj Tom Dedës, vendosi të shtyjë vendimmarrjen për ditën e djeshme. Sipas burimeve nga Këshilli, edhe ditën e djeshme është pritur paraqitja e prokurorit për të dhënë kundërshtimet e tij në lidhje me kontrollin e ushtruar, i cili pretendohet se ka gjetur dosje të pushuara e të pezulluara, të cilat janë hetuar nga Tom Deda. Kontrolli është bërë në fillim të këtij viti nga një grup i dërguar prej Prokurorisë së Përgjithshme. Ata pretenduan se në dosjet e prokurorit Tom Deda ka pasur probleme me pezullime dhe pushime gjatë fazës së hetimit, si dhe me masat e dënimit gjatë fazës së gjykimit. Vetë prokurori e ka cilësuar procesin tendencioz, duke thënë se procedimi është fals derisa ai ishte pezulluar nga detyra në një kohë kur Këshilli nuk kishte marrë ende një vendim zyrtar.              tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›