Akuza, 39 vjet burg për 2 pedofilët anglezë
23/12/2009 Shpallen të padëshirueshëm për në Shqipëri
Skena makabre në qendrën “Fëmijët e tij”
TIRANË – Prokuroria mbylli dje konkluzionet përfundimtare për dy shtetasit anglez Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, akuzuar për kryerje të marrëdhënieve homoseksuale me të mitur. Prokuroria e çështjes kishte material të bollshëm dje kundër dy të pandehurve, të cilët ndonëse i kanë refuzuar akuzat, janë përballur pothuaj në çdo seancë me dëshmitë e fëmijëve të abuzuar seksualisht. Për Dono Kristodulun, Prokuroria kërkoi dënimin me 22 vjet burg dhe për Robin Arnold dënimin me 17 vjet burg. Por akuza nuk u mjaftua me kaq. Dy pedofilët anglez, sipas saj, pas përfundimit të vuajtjes së dënimit duhet të largohen nga vendi dhe të shpallen të padëshirueshëm. Prokuroria e çështjes rifreskoi edhe një herë dje gjatë konkluzioneve përfundimtare, vëmendjen e gjykatës, me të gjitha dëshmitë e fëmijëve si dhe me provat e tjera të grumbulluara gjatë fazës paraprake të hetimit dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor. Seancat gjyqësore ku fëmijët kanë hedhur dritë mbi abuzimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura dhe të ndihmuar nga një videokonferencë. Të pandehurit sipas akuzës kanë përdhunuar në mënyrë sistematike fëmijët e qendrës “Fëmijët e tij”. Ata kanë kryer veprime çnjerëzore duke i përdhunuar dhe torturuar me pinca e djegur me cigare. Përdhunimet janë kryer edhe në dushe. Por kjo nuk ka mjaftuar për të pandehurit. Ata i trajtonin fëmijët për të plotësuar epshet e tyre. Të paktën kështu është shprehur akuza duke iu përmbajtur deklarimeve të bëra nga vet fëmijët gjatë seancave gjyqësore. Janë dhënë dëshmi rrëqethëse që vërtetojnë plotësisht përvetësimin e veprave penale.
Braun
Për të njëjtën vepër penale u dënua edhe kreu i kësaj qendre, David Braun. Ky i fundit është dënuar nga gjykata me 20 vjet burg dhe me largim të detyrueshëm. Por ka qenë Braun ai që ka dëshmuar kundër dy kolegëve të tij, duke i akuzuar për përdhunim të të miturve.