E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion me tenderat e policisë në pranga 3 zyrtarë e 3 biznesmenë

23/12/2009  Oficeri i Ministrisë së Brendshme e ai i Gardës favorizuan biznesmenët me
tendera
TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë ka urdhëruar arrestimin e 6 personave, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë abuzuar lidhur me praktikat e ndjekura të tenderit që zhvillohej për veshmbathjet dhe uniformat e personelit të Ministrisë së Brendshme. Shuma financiare e abuzimit mësohet se arrin shifrën totale prej rreth 125 mijë euro, shumë kjo që sipas burimeve është dhënë nën dorë për të fituar tenderin me vlerë prej 175.034.194 lekë. Shtetasit që kanë rënë në pranga janë tre biznesmenët Artan Berberi, Agur Sadiku e Jani Gjergjefi, si dhe Bujar Murati, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së përgjithshme të Prokurimeve të Përqëndruara pranë Ministrisë së Brendshme, Redi Popesku, specialist në Ministrinë e Integrimit dhe Tahir Imami, shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës. Hetimi vërtetoi veprime korruptive të tre zyrtarëve të mësipërm, Bujar Murati, Redi Popescu dhe Tahir Imami, të cilët kanë favorizuar e përzgjedhur disa subjekte tregtare për të klasifikuar fitues në procedurat e prokurimit të datës 09.09.2009 me objekt “blerje veshje për disa institucione” me vlerë limit dhe “blerje këpucë”, në përfitim prej tyre të shumave të konsiderueshme të parave, të cilat ja kërkonin ryshfet nga 5% deri në 10% të vlerës së limitit të prokurimit. Kanë mjaftuar vetëm 4 muaj hetime që prokurori i çështjes Julian Xhengo, të arrinte të gjente prova bindëse dhe t’i kërkonte policisë së Tiranës arrestimin e menjëhershëm të tyre. Burime pranë njësisë hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se hetimet lidhur me këtë çështje kanë filluar kryesisht, pasi kishin arritur të siguronin informacione se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, po praktikonin disa forma korruptive lidhur me tenderin e veshmbathjeve. Nga veprimet e kryera si dhe nga administrimi i akteve në procedimin penal nr. 3204 është arritur të zbardhet plotësisht skema e kësaj mitmarrje. Burimet thanë se Ministria e Brendshme kishte caktuar shtetasin e arrestuar Bujar Murati, të përzgjidhte firmën e rrobaqepësisë, e cila do të qepte uniformat e punonjësve të ministrisë. I arrestuari Murati që mban detyrën e Prokurimeve kishte zgjedhur të jepte të drejtën për 14 lote, si për veshjet e policisë, ushtrisë, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes e të tjera. Për të përfituar këtë “tortë”, në lojë është futur edhe biznesmeni nga Bilishti Jani Gjergjefi, i cili njihet në zonë si biznesmen në fushën e tekstileve pasi prej vitesh zotëron një rrobaqepësi. Ai së bashku me shtetasit e arrestuar Artan Berberi dhe Agur Sadiku, kanë marrë guximin që të hedhin mbi tavolinën e Bujar Muratit shumën prej rreth 120 mijë eurosh, në mënyrë që ai të skualifikonte pjesëmarrësit dhe tenderin ta fitonin ata. Duke qenë në këtë situatë, Murati i ka dhënë “ok” ofertës së tyre, duke aktivizuar për përshpejtimin e procedurave të tenderit edhe dy shtetasit e arrestuar Tahir Imami dhe Redi Popesku. Lidhur me këtë çështje organi i akuzës ka sekuestruar një sërë dokumentesh, si dhe ka arritur të sigurojë përgjime dhe filmime, që bëjnë fjalë për bisedat korruptive të 6 të arrestuarve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›