E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosta Trebicka, falsifikuesi faturave tatimore të TVSH-së

23/12/2009  Zbulohet vendimi, që nxjerr biznesmenin të implikuar në afera korruptive dhe mashtrim
TIRANE- Kosta Trebicka, njeriu që një vit më parë denoncoi aferat e trafikut të fishekëve Shqipëri-Afganistan, do të ishte i pandehur në ditët e sotme në qoftë se nuk do kishte humbur jetën në aksidentin rrugor të ndodhur në muajin shtator 2008 në fshatin Voskopojë të Korçës. Një gjë e tillë dëshmohet qartë në një vendim të gjykatës së Tiranës, i cili mban nr. 869 dhe është dhënë nga gjyqtarja Rezarta Balliu. Çështja ku i ndjeri Kosta Trebicka është mbajtur nën hetim ka të bëje lidhur me manipulimin e faturave tatimore mbi vlerën e shtuar, ku lidhur me këtë çështje Prokuroria ka prerë fletë-arrestin për gruan e Kostës, Brunilda Trebickën, eksperten kontabël të Tatimeve, Ajeta Shkëmbi, ish-kandidaten për deputete të PD-së në qarkun Fierit Nevila Bami, si dhe për katër persona të tjerë. Nga veprimet hetimore dhe administrimi i akteve në procedimin penal nr. 569, prokurori i Task-Forcës Julian Xhengo, ka mbajtur nën hetim për disa muaj me radhë shtetasin Kosta Trebickën dhe gruan e tij Brunilda. Nga të dhënat dhe informacionet operative që janë mbledhur, është konstatuar se biznesmeni i njohur Trebicka gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij privat me kompanitë e ndryshme që zotëronte “Alba” sh.p.k e të tjera, kryente veprime të shumta tregtare me dy firmat fantazmë “Klodi” sh.p.k dhe “Çela” sh.p.k me qendër në rrethin e Elbasanit. Nëpërmjet shitjeve të produkteve në këto firma, Kosta Trebicka me ndihmën edhe të inspektores kontabël pranë Drejtorisë së Tatim-Taksave, Ajeta Shkëmbi, kryente manipulimin e shifrave të faturave tatimore, që kishin të bënin lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuat ose siç njihet ndryshe me emrin TVSH. Si pasojë e këtij aktiviteti kriminal, Prokuroria thotë se përfitimi financiar për kompanitë e Trebickës ka qenë shumë i madh, pasi me këto veprime ai shmangte detyrimet financiare që me ligj duhet të derdheshin në arkën e buxhetit të shtetit. Nga përllogaritjet e organit të akuzës rezulton se firmat e administruara nga Kosta Trebicka dhe kompanitë e personave të tjerë të vënë nën hetim, kanë një borxh ndaj shtetit që kalon shifrën mbi 1 miliard lekë. Mësohet se aktualisht hetimet ndaj biznesmenit Trebicka janë pushuar nga njësia hetimore Task-Forcë, pasi juridikisht parashikohet që vepra penale e një personi të pandehur ose të vënë nën hetim, pushohet atëherë kur s’ka elementë të veprës penale ose ku ai ndahet përfundimisht nga jeta. Burimet thanë se në qoftë se Kosta Trebicka do të ishte gjallë, ai sot do të akuzohej për veprën penale të “falsifikim vulash, stampash ose formularësh”, si dhe “falsifikim dokumentesh” të kryera në bashkëpunim. Aktualisht janë vënë nën akuzë gruaja e tij Brunilda Trebicka, Shkëlqim Saku, Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla, Nevila Bami, Klodian Peqini dhe Osman Çela.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›