Akuza, 400 dëshmitarë për Gërdecin
Hetuesit kanë kërkuar dëshmitë e ish- funksionarëve "VIP" të Ministrisë së Mbrojtjes, në listën që po përgatitet prej saj
Ushtarakë të lartë e të nivelit të ulët, si dhe dëshmitarë të ngjarjes, pritet të ulen përballë gjykatësve për të rrëfyer atë çka dinë
TIRANË- Grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme bën gati listën e dëshmitarëve të çështjes. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit qendror të akuzës, të cilët theksuan se janë rreth 400 persona të moshave të ndryshme me cilësinë e dëshmitarëve, që do të përballen me të pandehurit e kësaj dosjeje në procesin gjyqësor pranë Gjykatës së Lartë.
"Është përpiluar tashmë lista dhe procesverbalet e dëshmive me emrat e rreth 400 dëshmitarëve, të cilët do të provojnë ndër të tjera edhe fajësinë e 29 të pandehurve të kësaj tragjedie, që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.
Në mesin e personave që do dëshmojnë para gjykatës, janë:
ushtarakë të ndryshëm të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, punonjës të administratës së Ministrisë së Mbrojtjes, ndërmarrjes MEICO, punonjës të Bashkisë së Vorës, policisë tatimore, punonjës elektrikë dhe të policisë elektrike, punonjës të shoqërisë "Albademil", punëtorë të kësaj punishteje, në mesin e tyre gra e fëmijë.
Disa ekspertë mjeko- ligjorë të cilët kanë kryer ekspertizat e personave të vrarë, atyre të plagosur rëndë, personave me dëmtime të lehta dhe me dëmtime të tjera dhe të papërcaktuara.
Gjithashtu, në mesin e ekspertëve që do të ftohen për të dëshmuar në Gjykatën e Lartë janë edhe ekspertët ekonomiko-financiarë, ushtarakë, të cilët kanë kryer akt-ekspertime të ndryshme të municioneve dhe armëve",-thuhet nga prokuroria.
Gjithashtu, këto burime konfirmuan se në mesin e dëshmitarëve janë rreth 200 ish-dhe punëtorë të kësaj fabrike, që kryenin demontimin e municioneve, mes tyre një numër i madh fëmijësh.
Në listën e dëshmitarëve, sipas akuzës, janë edhe personat e njohur si "grupi hije" që kishin për detyrë mbikëqyrjen e punëtorëve dhe të punimeve në fabrikën e Gërdecit.
Sipas kërkesës për gjykim, gjatë hetimit 12- mujor është provuar se 29 të pandehurit me veprimet dhe mos veprimet e tyre kanë ndikuar në shpërthimin e 15 marsit 2008, në ambientet e "ish-Brigadës së Tankeve" në Gërdec-Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve shoqëria "Albademil" sh.p.k,.
Ka qenë ora 12:00, ku sapo kishte filluar pushimi i drekës, disa punëtorë kanë filluar me nxitim transportimin e barutit, i cili ishte i paketuar në thasë plastikë i ndodhur në natyrë, në një sasi të madhe në sheshin e kapanonit.
Ndërkohë, në këtë ambient janë shfaqur flakët e para, pranë një karroce, e cila ka qenë e ngarkuar me disa thasë me barut, pranë një grumbulli thasësh baruti. Kjo karrocë përdorej nga grupi i punës i të ndjerit Qemal Deliu. Nga provat e grumbulluara ka rezultuar se kjo karrocë është salduar nga i ndjeri Qemal Deliu në banesën e tij, disa minuta para se të shfaqej zjarri.
Zjarri ka filluar të përhapej me shpejtësi në drejtim të kapanonit që ka sjellë më pas shpërthimin e parë në sheshin para kapanonit, i cili është pasuar nga shumë shpërthime të tjera të një pas njëshme, për shkak të sasive të mëdha të barutit të depozituar, si në ambientet para dhe brenda kapanonit, ashtu dhe në të gjithë territorin e "ish-Brigadës së Tankeve" ku ushtronte aktivitetin shoqëria "Albademil" sh.p.k.