Kryeprokurorja Rama në Tropojë: Të zbardhen dosjet 1998-2000
TROPOJË - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka vendosur që të thyejë tabunë e qytetit të Tropojës, duke qenë e para prokurore e përgjithshme që shkon në atë qytet. Në një takim me prokurorë që punojnë në qytetin verior, kryeprokurorja Rama ka kërkuar që të nisë hapja e dosjeve për vitet 1998-2000 dhe të fillojë zbardhja e tyre.
Shkak për këtë kërkesë të saj është bërë edhe fakti që pas vitit 1997 ka shumë dosje kriminale të mbetura pezull, të cilat, sipas saj, duhet të rihapen dhe të studiohen.
Vizita e prokurores së Përgjithshme në Tropojë shënon dhe vizitën e parë të një personi në postin e saj që shkon në Tropojë, që ka qenë edhe një nga qytetet më problematike për organin e akuzës dhe ku shumë ngjarje, sidomos të pas vitit 1997 vazhdojnë të qëndrojnë në sirtare të pazbardhura.
Kryeprokurorja Ina Rama vijon turin e saj të takimeve me prokurorë të të gjithë rretheve, ndërsa në to është diskutuar lidhur me problemet që hasin përfaqësuesit e akuzës në gjykata, por edhe puna që po bëhet për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjeve, si dhe mbi zbatimin e ligjit nga ana e tyre.