Akuza: 82 Vjet burg të akuzuarve të "Maloku"
TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje deklarimin fajtor dhe dënimin me burg dhe gjoba në vlerë monetare për personat e arrestuar nga operacioni "Maloku", në qershor të vitit 2007. Të akuzuar për veprën penale të "dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit", dhe atë të "grupit të strukturuar kriminal" 10 të pandehurit e kësaj çështjeje, mes të cilëve edhe disa ish-efektivë policie, rrezikojnë 82 vjet burg dhe 39.9 milionë lekë në total. Në seancën e djeshme në Gjykatë për Krimet e Rënda, organi i akuzës paraqiti përpara trupit gjykues konkluzionet përfundimtare të prokurorisë. Në përfundim, prokurori deklaroi fajtor për veprën e "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit" në kuadër të "grupit të strukturuar kriminal" dhe kërkoi dënimin me nga 12 vjet burg dhe 7.5 milionë lekë gjobë për të pandehurit Hodo Corri, Ergest Rabaj, Leonidha Caro, Krenar Boçi dhe Arben Sulaj. Akuza kërkoi gjithashtu shpalljen fajtor vetëm për akuzën e "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe dënimin me nga 5 vjet e 600 mijë lekë gjobë për të pandehurit Lorenc Meçi, Ermal Kaçi, Eugen Garxenaj dhe Kreshnik Gerbi. Ndërsa për të pandehurin Ermal Fidhi është kërkuar dënimi i tij me 2.5 vjet heqje lirie, për veprën penale të "korrupsionit pasiv", pasi për veprat e mësipërme ai e kishte vuajtur një dënim në shtetin grek. Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer në 8 raste veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" në kuadër të grupit të strukturuar kriminal nga Shqipëria në drejtim të Greqisë". Organi i akuzës, cilësonte të pandehurin Arben Sulaj, i njohur ndryshe edhe me nofkën "Maloku", si organizatorin e grupit. Sipas Prokurorisë, ishte Sulaj ai që siguronte personat që donin të kalonin kufirin, kundrejt pagesës 1200 euro. Po sipas organit të akuzës, punonjësit e policisë të implikuar në trafik, në sajë të lidhjeve të tyre, mundësonin largimin e patrullave policore nga vendet ku do të kalonin klandestinët që njiheshin si rruga e "Glinës" dhe "Tek dritat". ar.ba