Teatri i Operas miraton kalendarin artistik për vitin 2009
Një vit me emra të mëdhenj si Verdi, Belini, Shtraus e Çajkovski. Vepra voluminoze, por edhe mbrëmje kushtuar personaliteteve muzikore shqiptare e të huaja, koncerte të vogla, të cilat do ta mbajnë hapur derën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, përgjatë gjithë vitit. Pas diskutimesh e propozimesh, dje, bordi artistik i këtij institucioni miratoi kalendarin vjetor artistik të TKOB-it. Një kalendar shumëngjyrësh, që u përgjigjet të gjitha grupmoshave. Shohim vepra të kompozitorëve të mëdhenj, si opera "Norma" e Belinit, e cila do të rivijë si vepër repertori në fillim të muajit shkurt, për të vijuar me "Falstafin" e Verdit, dy suita baleti me koreografi të Leonard Ajkut, "Rajmonda" & "Spartakus", premiera absolute e operës "Salome", apo baleti "Arrëthyesi" i Çajkovskit, i cili vjen me koreografinë e Ilir Kernit. Duke qenë se ky vit është konsideruar si "Viti i Zoraqit" dhe nga mbarë bota muzikore si viti i Haydin, në skenën e TKOB-it nuk do të mungojnë mbrëmjet me vepra të këtyre kompozitorëve. Paraqitet interesant vënia në skenë e baletit "Gjenerali", mbështetur në romanin e Ismail Kadaresë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", me muzikë të Nikolla Zoraqit e koreografi të Agron Aliajt. Një dyshe e shkëlqyer instrumentistësh sjell gjithashtu vepra të kompozitorit shqiptar. Bëhet fjalë për instrumentistët Tedi Papavrami dhe Renato Ripo, të cilët kthehen në Tiranë në një koncert simfonik për violinë e çelo. Ndërsa për nder të Haydin, është koreografi italian Tony Candeloro, që do të sjellë një orator të kënduar. Kalendari artistik përmban edhe vepra të tjera, që vijnë si premierë dhe bashkëpunime me teatro e institucione të huaja, italiane, amerikane, vjeneze, franceze, etj. Të shpërndara në të gjithë kalendarin janë koncerte të shumta, që sjellin krijimtarinë e kompozitorëve të mëdhenj si Bartok, apo Stravinski, apo virtuozitetin e instrumentistëve të ftuar. Nuk do të mungojnë edhe mbrëmjet kushtuar artistëve të rinj, qofshin këto operistike, apo instrumentale.