Prokurori i "Hajdarit" kreu i hetimit të aferës së Gërdecit
TRAZHGIM SOKOLAJ
Kryeprokurorja Ina Rama pranoi dje në mbrëmje dorëheqjen e ish-përgjegjësit të grupit hetimor të dosjes "Gërdeci", Zamir Shtylla, njëkohësisht ish-drejtor i Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Në vend të Zamir Shtyllës, i konsideruar muajt e fundit si "xhelat" nga kryeministri Berisha, Prokurorja Ina Rama ka emëruar Sokol Stojanin. Ky i fundit, aktualisht mban detyrën e Prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kryeson mbledhjet e Këshillit të Organit qendror të akuzës. Prokurori Stojani është një nga përfaqësuesit e akuzës në dosjen penale të vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, ka qenë prokuror i dosjes "Pasaportat" dhe së fundi ka marrë pjesë në hetimet për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka, si dhe po punon për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Lajmi për pranimin e dorëheqjes së Zamir Shtyllës është konfirmuar dje në mbrëmje nga Zyra e Kryeprokurores, përmes zëdhënëses Holta Zhiti. Kjo e fundit konfirmoi se Prokurorja e Përgjithshme kishte emëruar në vend të Zamir Shtyllës Prokurorin Sokol Stojani, duke pranuar kështu dorëheqjen e prokurorit të akuzuar publikisht nga Kryeministri Berisha, gjatë muajve të fundit. Prokurori Sokol Stojani, në këtë mënyrë ka marrë drejtimin e hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, ndërkohë që kjo mund të konsiderohet edhe si një taktikë e Kryeprokurores Ina Rama, për të neutralizuar akuzat për politizimin e mundshëm të dosjes në fjalë.
Prokuroria e dosjet
Pavarësisht akuzave të artikuluara publikisht ndaj tij, prokurori Zamir Shtylla vazhdoi detyrën deri tri ditë më parë, kur përmes heshtjes Presidenti i vendit Bamir Topi i dha fuqi ligjit të lustracionit, të quajtur ndryshe "ligji i Dosjeve". Vetëm pak çaste pasi ky ligj hyri në fuqi, prokurori Zamir Shtylla paraqiti pranë zyrës së Kryeprokurores Ina Rama, dorëheqjen nga funksioni i përgjegjësit të grupit hetimor për tragjedinë e Gërdecit, si dhe nga Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Kryeprokurorja Ina Rama e shqyrtoi dorëheqjen e Zamir Shtyllës për dy ditë ndërsa dje e miratoi atë. Në këtë mënyrë, Zamir Shtylla i konsideruar publikisht si një nga prokurorët që largohet si pasojë e zbatimit të ligjit të dosjeve, mbetet vetëm prokuror pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, duke u zhveshur nga çdo funksion apo detyrë tjetër që ka mbajtur më parë. Ligji i dosjeve pritet të shkaktojë largime të tjera të prokurorëve, që janë duke hetuar dhe gjykuar dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës apo atë të abuzimeve të dyshuara në rrugën Durrës-Kukës.
Replikat e prokurorit
Prokurori Zamir Shtylla i hodhi poshtë pak kohë më parë akuzat e bëra në adresë të tij nga Kryeministri Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të maxhorancës. Sipas prokurorit Shtylla, ai ishte dekretuar në Prokurorinë e Përgjithshme, në kohën kur Sali Berisha ishte President i vendit, ndërsa pohoi se lidhjet e tij me ish-diktaturën komuniste ishin të tilla saqë Prokurori Shtylla, pas viteve 1990, kishte firmosur arrestimin e ish-bllokmenëve përfshi këtu edhe bashkëshorten e ish-diktatorit Nexhmije Hoxha. Prokurori Shtylla pretendoi se akuzat ndaj tij ishin politike dhe se ai nuk u nënshtrohej presioneve.
Ish-kryehetuesi i Gërdecit: Më bënë presion politike
Në tekstin e dorëheqjes së Zamir Shtyllës, prokurori ka shënuar se ikën si pasojë e presioneve politike të ushtruara ndaj tij publikisht kohët e fundit. Sipas artikulimit të Prokurorit Shtylla, ai largohet nga detyra e drejtuesit të hetimit të çështjes së "Gërdecit", në mënyrë që vendimmarrja lidhur me këtë çështje të mos paragjykohej politikisht. Dorëheqja e prokurorit Zamir Shtylla lidhet megjithatë me hyrjen në fuqi të ligjit të Dosjeve, i cili në rast se zbatohet shkakton largimin nga detyrat në institucione qendrore dhe nga funksionet drejtuese për ata zyrtarë që kanë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorë të tij apo ata hetues dhe prokurorë që kanë marrë pjesë në procese politike për akuza të parashikuara nga legjislacioni penal i atëhershëm.