E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon "Banda e Lushnjës", 15 dëshmitarë forcërisht në gjyq

 

TIRANE - Edhe pse kishin ardhur të shoqëruar nga policia, 15 dëshmitarë nuk kanë mundur të dëshmojnë dje në procesin gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Lushnjës". Gjykata për Krimet e Rënda u detyrua ta shtynte seancën, për shkak të mungesës së një prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. "Shkak i shtyrjes së seancës bëhet mungesa e avokatit Marash Ibraj, mbrojtësi i të pandehurit në mungesë, Arjan Alico", relatoi kryesuesja e seancës, gjyqtarja Marsela Balili. Vendimi solli nota të forta proteste nga ana e dëshmitarëve. Të "regjur" nga shtyrja e seancave, ata kanë ngritur zërin në drejtim gjyqtarëve. Të ardhur për të disatën herë në gjykatë, pothuajse në njëzëri ata thërritën se "Nuk vijmë më ne. Kemi punë. Pse na detyruat. Ai avokati aty ishte. Erdhi këtu dhe kërciti iku jashtë, apo e keni bërë modë ju që ikën njëri dhe vjen tjetri. Është e 13-ta herë që vijmë këtu". Trupi gjykues i seancës vendosi zëvendësimin e avokatit Ibraj, si edhe njoftimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për sjelljen e tij. Dëshmitarët e djeshëm ishin të fundit nga lista e personave të kërkuar nga Prokuroria, që do të rrëfeheshin kundër në procesin gjyqësor të "Bandës së Lushnjës". Të cilësuarit si anëtarë të kësaj bande, Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arjan Aliço, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina akuzohen nga Prokuroria për "vrasje me paramendim, mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe krijim të organizatës kriminale".                  ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›