Akademia,shpallen kandidatët për kryetar
ALMA MILE
Një javë pas hapjes së fushatës së zgjedhjeve për kryesinë e Akademisë së Shkencave, dalin emrat e tri kandidatëve për postin e kryetarit. Bëhet fjalë për akademikët Apollon Baçe, Kolec Topalli dhe Gudar Beqiraj. Tri emra, të cilët mbulojnë fusha të ndryshme mes tyre, filozofi, gjuhësi dhe matematikë. Që pas përfundimit të zgjedhjeve, për anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave dhe akademikëve të asociuar, një proces ky, që detyrimisht do të çonte në zgjedhjen e kryesisë së re, nisën të dëgjohen zëra e ambicie për postin e kryetarit. Por fushata zyrtare për paraqitjen e kërkesave dhe platformave u shpall një javë më parë nga kryetari aktual i ASH-së, Teki Biçoku, i cili tashmë është anëtar i përhershëm e akademisë. Sipas tij, sot (dt 17 janar) është afati i fundit të paraqitjes së kërkesave me shkrim për postin në të cilin kandidohet. Megjithatë duket se kërkesat janë paraqitur me kohë, madje ndonjë prej akademikët e ka shpallur tashmë përmes shtypit konceptin e tij për drejtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni të rëndësishëm. Mësojmë se për pozicionin e Akademisë së Shkencave aspirojnë prof. Doc Apollon Baçe, i shpallur akademik në zgjedhjet e korrikut të vitit të shkuar, gjuhëtari Kolec Topalli dhe matematikani Gudar Beqiraj, i cili mbante pozicionin e zv/kryetarit të ASH-së. Përveç kryetarit, do të zgjidhet edhe zv/kryetari i ri, ku garojnë prof. Doc Myzafer Korkuti dhe prof. Doc Emin Riza, të dy të angazhuar në fushën e arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës. Zgjedhjet për kryetarin e ri do të zhvillohen në datën 7 shkurt e deri atëherë kandidatët kanë kohë t’u bëjnë të njohura kolegëve të tyre platformat përkatëse. Kur u shpall fushata e zgjedhjeve, kryetari Biçoku, u shpreh se “kryesia e përkohshme e akademisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme e do t’u krijojë mundësi kandidatëve për të gjitha postet, që të paraqesin vizionin e tyre për zhvillimin e institucionit, përpara anëtarëve të akademisë, mediave, publikut dhe në faqen e internetit të Akademisë. Nëse një kandidat dëshiron që ta paraqesë platformën e tij në një mbledhje të hapur, kryesia do të ndihmojë që të organizohet kjo veprimtari në mjediset e akademisë”. Procesi zgjedhor do të monitorohet nga komisioni reformator, i krijuar nga qeveria, 3 vjet më parë dhe që menjëherë pas zgjedhjeve, do të shpërndahet, duke mbyllur misionin e vet. Me zgjedhjet e 7 shkurtit, të cilat do shpallin jo vetëm kryetarin e ri, por edhe nënkryetarin, sekretarin shkencor dhe drejtuesit e dy seksioneve të akademisë, përfundon procesi i gjatë dhe shumë i debatuar i reformimit të këtij institucioni. Edhe pse që hershëm është folur për pozicionin e “tërhequr”, jo aktiv të akademisë, në vitin 2006, me projekt reformën e harruar nga komisioni, pati jo pak debate. Ato nisën me idenë, e cila më pas edhe u zbatua, të shkëputjes së 13 instituteve nga akademia, për t’u atashuar pranë fakulteteve, ndërsa disa prej tyre u grupuan në Qendrën Albanologjike. Kjo do të thoshte që funksionet e akademisë do të rrudheshin së tepërmi. Të tjera debate pasuan me përcaktimin e moshës së pensionit të akademikëve, që u hoqi mundësinë një numri të madh studiuesish, të ishin anëtarë të përhershëm të Akademisë. Ndër ata që u përjashtuan ishte Ylli Popa, Dritëro Agolli, Jorgo Bulo, etj. Zgjedhjet e reja sikur e qetësuan disi situatën dhe tani pritet zgjedhja e kryesisë së re, e cila sigurisht do të paraprihet nga një përplasje idesh dhe platformash, në bazë të të cilave dhe do të votohet.