Ministria e Kulturës, fushatë për librin
“Të rinjtë pranë librit”, është nisma më e fundit e Drejtorisë së Politikave Rinore dhe Drejtorisë së Arteve dhe Letrave, e cila nisi dje takimin e parë me tryeza të hapura me të rinjtë e kryeqytetit dhe shkrimtarë të njohur e studiues të letërsisë shqipe. Programi disa javor përfshin zhvillimin e disa seminareve në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës, me qëllim mbështetjen ndaj librit dhe nxitjes së të rinjve, për të qëndruar më pranë botës së letrave. Takimet e shkrimtarëve me të rinjtë do të ofrojnë mundësi të reja për shkëmbim informacioni dhe për krijimin e urave lidhëse midis nxënësve të shkollave të mesme, shkrimtarëve të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj.