Artizanati gjirokastrit paraqitet në një guidë turistike
Gjirokastër. Profilet e artizanëve gjirokastritë në gdhendje guri e druri, punime artistike në hekur, punime tradicionale në qëndisje etj, janë paraqitur së fundi në një botim të veçantë ne gjuhën angleze. Hedhja e tyre në qarkullim, është realizuar nga organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike. Sipas realizuesve të kësaj nisme, të apasionuarit pas punimeve tradicionale dhe veçanërisht grupet turistike, mund të gjejnë në këtë botim informacionin e nevojshëm për profilet e artizanëve Xhevahire Xhiku në qëndisje, Muhedin Makri në skalitje guri, Ruhije Bineri në tekstil tradicional, Anastas Petridhi në gdhendje druri etj. Përgjatë faqeve të kësaj guide të artizanatit gjirokastrit kurreshtarët mund të gjejnë informacion rreth punimeve të realizuara nga një grup artizanësh, motivet e preferuara të tyre etj. Madje informacioni është i gërshetuar me foto ku pasqyrohet puna dhe veprimtaria e këtyre artizanëve. Realizimi i tij në gjuhën angleze, u jep mundësinë grupeve turistike që të orientohen sa më thjeshtë në tregun e zejtarisë dhe punimeve tradicionale në Gjirokastër duke ndihmuar kështu edhe në promovimin e artizanëve të qytetit të gurtë. Ky është i pari dhe i vetmi botim në këtë fushë që realizohet për vlerat e zejtarisë gjirokastrite gjatë viteve të pluralizmit. Botimi i fundit daton në vitin 1983 para organizimit të Festivalit Folklorik Kombëtar të atij viti. Mungesa e një guide të tillë gjatë 18 viteve të fundit, justifikohet nga specialistët e zejeve në Gjirokastër, për mungesë vullneti dhe fondesh pasi i është kushtuar më tepër rëndësi komercializmit se sa pasqyrimit të vërteta të vlerave tradicionale gjirokastrite.