E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza: Al-Qadi nuk financoi terrorizmin

 
Zbulohet vendimi i Prokurorisë, sipas së cilit nuk ka prova që aksioneri i "Kullave Binjake" të ketë financuar Al-Kaedën
 
Shteti shqiptar rrezikon të humbë betejën ligjore për sekuestrimin e 22 apartamenteve të të kërkuarit nga OKB
 
TIRANË- Shteti shqiptar rrezikon të humbë apartamentet e sekuestruara tek "Kullat Binjake", pasi ka dështuar në gjetjen e provave që vërtetojnë lidhjen e Yasin Al-Qadi me terrorizmin. Megjithëse emri i sheikut ndodhej në listën e OKB-së për financimin e organizatës famëkeqe Al-Kaeda, Prokuroria e Përgjithshme e pushoi hetimin e nisur kundër tij për akuzën e "financimit të terrorizmit" më 26 dhjetor të vitit 2004. Të njëjtin fat ka pasur edhe procedimi penal i nisur kundër administratorit të pronave të Al-Qadi, jordanezit Hamzeh Abu Rayan. "Nga tërësia e provave të administruara në këtë procedim të prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk provohet se fondet e shoqërisë "Loxhall" sh.p.k janë përdorur nga i pandehuri Abu Rayan për të financuar terrorizmin dhe se veprimet e tij në administrimin e pasurisë së Yasin Al-Qadi nuk përbëjnë elementë të veprës penale të "financimit të terrorizmit"-thuhet në vendimin e pushimit të hetimit kundër administratorit të Al-Qadi.
***
Sheiku arab, Yasin Al-Qadi ka ardhur në Shqipërinë muajin mars të vitit 1993, kuka themeluar vetëm dhe në bashkëpronësi disa shoqëri tregtare si "Kavallo", "Medicare", "Loxhall", "Karavan"; "Emane"; "Alintid" etj, me aktivitet në fusha të ndryshme tregtare. Ardhja e tij në Shqipëri mendohet të ketë lidhje me të dëbuarin në vitin 1999 nga Ministria e Rendit, Abdul Latif Saleh. Ky i fundit kishte marrë nënshtetësi shqiptare në vitin 1996, ndërsa pak vite më vonë i fali Yasin Al-Qadi 550 metra katrorë truall, mbi të cilat sot ngrihen "Kullat Binjake" në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".Më pas, Al-Qadi ka firmosur një kontratë me një tjetër kompani shqiptare, për ndërtimin e dy kullave në qendër të Tiranës. Preventivi total i këtij projekti, sipas hetimit të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme kapte shifrën e 13.110.122 dollarëve. Dy vjet më pas, në vitin 2002 shteti shqiptar i sekuestroi dhe bllokoi punimet e këtyre dy ndërtesave,pasi rezultoi se emri i tij Yasin Al-Qadit ndodhet në listën e zezë të OKB-së, i akuzuar nga SHBA-të për financimin e terrorizmit.
***
Me nxjerrjen e këtij vendimi, arabi Yasin Al-Qadi mund të konsiderohet i pafajshëm nga drejtësia shqiptare, por çështja është ende e hapur për pronat e tij. Sipas kopjes së vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme, të siguruar nga "Shekulli" saktësohet historiku dhe ardhja e Yasin Al-Qadit në Shqipëri e deri te ikja e tij dhe shpallja në listën e personave të kërkuar. Gjithashtu, në këtë vendim përshkruhen edhe vendimet e sekuestrimit të pasurisë së Al-Qadit, menjëherë pas nxjerrjes së rezolutës nga Organizata Kombeve të Bashkuarapër "luftën kundër financimit të terrorizmit", të cilën edhe Shqipëria e ka ratifikuar dhe ka kryer sekuestrimin e pronave të personit që ndodhet në listën e SHBA-së. Edhe vendimet për sekuestro kanë qenë kontradiktore. Në vitin 2002, Ministria e Financave u urdhërua të sekuestronte dy kullat, në fazën e tyre karabina, por ishte një vendim i Gjykatës së Lartë të lejoi vazhdimin e punimeve. Në urdhrin e lëshuar në vitin 2004, Ministria e Financave urdhëroi sekuestron paraprake të aksioneve të Yasin Al-Qadi tek Kullat Binjake, të cilat u llogaritën se ishin rreth 22 apartamente. Kundër këtyre vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Financave, mbrojtësi ligjor i sheikut Yasin Al-Qadi ka depozituar dy kërkesë -padi në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, ku kërkon heqjen e këtyre sekuestrimeve dhe kalimin e pronave nën pronësi e sheikut, me pretendimin se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në financimin e organizatës terroriste "Al Kaeda".
Njeriu i Al-Qadi, i pafajshëm për financimin e terrorizmit, por tjetërsoi të ardhurat
Krimet e Rënda: Abu
Rayan fshehu 10 mln lekë
TIRANË-Prokurorisë së Krimeve të Rënda iu desh një vit kohë për të rrëzuar kallëzimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave se administratori i pronave të Yasin Al-Qadit në Shqipëri, jordanezi Hamzeh Abu Rayan ka përdorur para për financimin e terrorizmit. Ky është edhe vendimi përfundimtar i hetimeve të kryera nga prokurori i çështjes, Julin Papa. Në përfundim të hetimeve, sipas kërkesës për gjykim, rezulton se administratori Abu Rayan ka kryer vetëm veprën penale të "fshehjes së fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin", -të parashikuar në nenin 230b1 të Kodit Penal. "Hetimet një vjeçare ndaj administratorit Hamzeh Abu Rayan të shoqërisë "Loxhall" sh.p.k me pronar Yasin Al-Qadi, i cili ndodhet që nga data 17 tetor në listën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si i dyshuar për financimin e terrorizmit nuk gjetën prova për akuzën",-thuhet në vendim e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo shoqëri, nën administrimin e Abu Rayan, në kundërshtim me kërkesat e ligjit vazhdon të ushtrojë aktivitetin e biznesit nëpërmjet dhënies me qira tëpasurive të paluajtshme. Sipas hetimit rezultojnë se vetëm në kryeqytet, shoqëria "Loxhall" sh.p.k. ka 19 objekte, të cilat janë dhënë me qira, ku të gjitha pagesat për këto aktivitete janë kryer kesh dhe nuk kanë kaluar nëpërmjet sistemit bankar. "Në përfundim të hetimeve, personi nën hetim Hamzeh Abu Rayan u akuzua për "fshehjen e fondeve dhe pasurive të tjera që financojnë terrorizmin", pasi ka rezultuar se me dashje ka fshehur dhe tjetërsuar në mënyra të ndryshme shumën mbi 10 milionë lekë të reja, shumë e cila sipas akt-ekspertimit kontabël, duhej të ishte në arkën e shoqërisë "Loxhall"",-thuhet në kërkesën për gjykim. Kështu në përfundim të kësaj kërkesë theksohet se "në përfundim të hetimeve dhe në tërësinë e provave të administruara në këtë procedim nuk provohet se fondet e shoqërisë "Loxhall"sh.p.k janë përdorur nga i pandehuri Hamzeh Abu Rayan për të financuar terrorizmin dhe se veprimet e të pandehurit nuk përbëjnë elementët e kësaj vepre penale. F.Vezaj
VENDIMI
Administratorit të Al
Qadi i kthehet pasaporta
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda i ka rikthyer pasaportën Hamzeh Abu Rayan, duke i dhënë atij si masë shtrëngimi vetëm atë të detyrimit të paraqitjes. Në një kohë kur vazhdon procesi gjyqësor i sekuestrimit të 22-apartamenteve të sheikut arab, administratori i tij është tashmë i lirë të lëvizë ku të dojë, ndërkohë që duhet të paraqitet në prokurori sa herë të jetë i nevojshëm për hetimin. Ndaj tij ka rënë tashmë akuza e financimit të terrorizmit, ndërsa Abu Rayan akuzohet vetëm për tjetërsim fondesh. Prej disa kohësh, ky person administronte pronat e Yasin Al-Qadi në vendin tonë. Madje, deri vonë ai ka marrë edhe qeratë e apartamenteve tek "Kullat Binjake", të cilat edhe pse janë sekuestruar paraprakisht, nuk shfrytëzohen nga zyra e ngritur enkas për këtë punë, në Ministrinë e Financave. Proceset e tjera gjyqësore pritet të vendosin për fatin e apartamenteve tek "Kullat Binjake", që ndodhen në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›