Nishani-Kryepolicit grek: Shtoni personelin ne dogana
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, kërkon kontributin e Policisë Greke për të shtuar personelin në pikat e kalimit kufitar sidomos gjatë festave. Kërkesa e Nishanit është shtruar ditën e djeshme në një takim që ministri i Brendshëm ka pasur me Drejtorin e Përgjithshëm të policisë Greke Anasatasias Dhimoskakis. Bujar Nishani pasi falënderoi kreun e policisë Greke për ndihmën që i ka dhënë policisë shqiptare i kërkoi atij të shtojë numrin e personelit në pikat e kalimit kufitar sidomos gjatë ditëve të festave kur ka edhe një fluks më të madh lëvizjesh. Ndërkohë që Nishani shprehu bindjen e plotë të Ministrisë së Brendshme për ndryshimin e situatës në kufirin jeshil me Greqinë duke deklaruar angazhimin maksimal në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe atë të qenieve njerëzore. Gjithashtu gjatë këtij takimi ministri i Brendshëm paraqiti ndryshimet në aspektin e legjislacionit për sa i përket Policisë së Shtetit, dhe luftës kundër trafiqeve të ndryshme sidomos të drogës dhe qenieve njerëzore. Nga ana e tij Kreu I policisë Greke u ka premtuar mbështetje homologut në të gjitha fushat e dikasterit blu."Është fakt që bashkëpunimi me policinë shqiptare është rritur dhe rezultatet janë të kënaqshme" u shpreh drejtori i policisë greke duke dhënë mbështetje në luftën kundër trafiqeve si dhe në trajnimin e policisë shqiptare. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi si dhe zëvendësit e tij. Prençi i kërkoi homologut të tij bashkëpunim më shumë për ruajtjen e kufirit. "Ndonëse kemi goditur disa grupe kriminale, vërehet se një problem vazhdon të jetë kalimi i paligjshëm i kufirit. Me implementimin e strukturës së re në Departamentin e Kufirit do të kemi një punë më efikase në të ardhmen për minimizimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Duhet që ndërmjet nesh të shkëmbehen informacione si dhe të kryhen patrullime në të dyja anët e kufirit. Kjo do të kryhet si në ajër me helikopter ashtu edhe në vijën kufitare nga forcat e kufirit"- u shpreh kreu i policisë Shqiptare Ahmet Prençi. Ndërsa Drejtori i Policisë Greke i garantoi homologut mbështetje dhe u vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Interpol Tirana gjë e cila ka çuar në pëgjysmimin e personave të shpallur në kërkim nga policia Shqiptare. Dy vitet e fundit në Greqi janë kapur 44 persona ndërsa rezultonin 70 të kërkuar të cilët strehohen në shtetin helen.