PS, ja axhenda e punës për vitin 2008
Edhe për gjashtëmujorin e parë të vitit 2008 bie në sy vazhdimi i "Dialogut me Shqipërinë"
"Selia rozë evidenton si prioritet edhe konsolidimin e koalicionit të majtë"
TIRANË- Hartimi ialternativës elektorale dhe qeverisëse, forcimi i strukturave organizative dhe rritja e rolit opozitar përbëjnë objektivin kryesor të aktivitetit politik dhe organizativ të Partisë Socialiste për gjashtë mujorin e ardhshëm. Asambleja Kombëtare do të diskutojë dhe pritet të miratojë nesër në mbledhjen e saj të radhës axhendën e veprimit politik për periudhën Janar-Maj të vitit 2008. Projekt-drafti i përgatitur nga Sekretariati Ekzekutiv i kësaj force evidenton objektivat, prioritetet dhe aksionet kryesore politike dhe organizative të PS-së, ku natyrisht bie në sy vazhdimi me të njëjtin intensitet i turit të "Dialogut me Shqipërinë". Një ndër çështjet që përfshihen në objektivin e kësaj force është përpunimi dhe përgatitja e alternativës elektorale dhe qeverisëse të PS-së me një program të ri politikë, fryt i një bashkëbisedimi te gjerë me komunitetin, grupet e interesit dhe ekspertizës ndërkombëtare. Gjithashtu një rëndësi i kushtohet dhe forcimit të strukturave organizative dhe elektorale të PS-së, rifreskimi, zgjerimi dhe kualifikimi i tyre në funksion të betejës së ardhshme elektorale. Objektiv qendror përbën edhe zgjerimi aksionit opozitar në nivel kombëtar dhe vendor për të denoncuar në opinionin publik atë që socialistët e cilësojnë si keqqeverisje të djathtë. PS merr përsipër të luaj një rol aktiv edhe në drejtim të proceseve integruese të vendit. Më konkretisht kjo axhendë përcakton si prioritare forcimin e rolit dhe efikasitetit të aksionit opozitare për çështje konkrete të qeverisjes së vendit, forcimin dhe modernizimin e strukturës organizative të partisë, si dhe forumit të gruas dhe atë të rinisë socialiste. Prioritet përcaktohet edhe finalizimi i reformës elektorale dhe dhënia e një kontributi aktiv në debatin për reformën në drejtësi. PS e konsideron vitin 2008 si fazë parapërgaditore për fushatën e ardhshme elektorale dhe në këtë funksion përcakton si një detyrë të sajën përgatitjen për një paraqitje sa më të suksesshme në këtë sfidë. Po në vijim të këtij qëllimi, selia rozë evidenton si prioritet edhe konsolidimin e koalicionit të majtë. Sipas PS-së vetëm një e majtë e fortë mund të garantoj një opozitë të suksesshme dhe realizim të qëllimeve elektorale. Për realizimin e këtyre detyrave kryesia e PS-së i propozon Asamblesë Kombëtare një sërë veprimesh konkrete si vazhdimi i "Dialogut me Shqipërinë" si një projekt i konkretizuar idesh për të ardhmen. Gjithashtu në axhendë janë caktuar dhe një sërë aksionesh politike si takime të kryetarit dhe forumeve drejtuese të PS-së me komunitetin dhe grupet e interesit në bashki dhe komuna, vazhdimi i takimeve me temë "Gjykoni punën time" të pushtetarëve vendorë socialistë me komunitetin lokal, organizimi i tryezave për përdorimin efektiv të rezultateve të dialogut të deri tanishëm si dhe nxitja e aksioneve të veprimit politik qytetar. Axhenda përcakton dhe piketat kryesore të veprimtarisë së grupit parlamentar, ku natyrisht theksohet nevoja për interpelanca me qeveritarët. Pikë e veçantë në punën e grupit është edhe angazhimi për përmbylljen e Komisioneve Hetimore parlamentare. Grupi ngarkohet që të hartojë dhe propozime alternative për projektligje të ndryshme që paraqiten në Kuvend. Axhenda përfshinë dhe një detajim të veprimtarisë organizative të partisë, siç janë zgjedhjet në parti, forcimi organizatave socialiste, konsolidimi strukturor dhe veprues i komisioneve rajonale, formatimi dhe veprimi aktiv i bordit të komunikimit. Pjesë e axhendës politike është edhe veprimtaria në fushën e jashtme dhe sidomos atë për çështjen e Kosovës.
Kjo axhendë përcakton si prioritare forcimin e rolit dhe efikasitetit të aksionit opozitare për çështje konkrete të qeverisjes së vendit, forcimin dhe modernizimin e strukturës organizative të partisë, si dhe forumit të gruas dhe atë të rinisë socialiste
Prioritet përcaktohet edhe finalizimi i reformës elektorale dhe dhënia e një kontributi aktiv në debatin për reformën në drejtësi. PS e konsideron vitin 2008 si fazë parapërgaditore për fushatën e ardhshme elektorale dhe në këtë funksion përcakton si një detyrë të sajën përgatitjen për një paraqitje sa më të suksesshme në këtë sfidë