E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çarjet e malit, rrezikohen 300 mijë banorë

 
Kaskada e Drinit
 
"Në kaskadën e Drinit kërkohen investime në rreth 100 milionë euro për të mbrojtur digat"
Rreziqet në digat e ngritura në lumin Drin kanë ardhur në rritje, pas konstatimit nga ana e specialistëve të KESH se në muret afër kaskadave ka çarje që mund të sjellin katastrofën. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga ana e Drejtorit të KESH, Gjergj Bojaxhi, që ka kërkuar investime të menjëhershme për të mbrojtur edhe investimin më të madh në vend. Por para se të ndërhyhet në kaskadë, është kërkuar që të kryhet një studim fizibiliteti. Ky studim do të realizohet nga qeveria zvicerane, përmes një granti me vlerë 1 milionë euro, që do të ndihmojë KESH-in për sigurinë e digave në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat. Marrëveshja u nënshkrua gjatë ditës së djeshme në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nga ministri Genc Ruli, Ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Shqipëri, Yvana Enzler dhe Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergji Bojaxhi. Ministri Ruli e vlerësoi këtë kontribut si mjaft të rëndësishëm, që lidhet me një nga objektivat kryesore, atë të sigurisë së digave në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat, ku janë dhe HEC-et kryesore të vendit, por dhe financimet e rëndësishme që ka dhënë në vite qeveria zvicerane për sektorin elektroenergjetik shqiptar. Ruli ka bërë të ditur se po punohet për të siguruar fondet e nevojshme financiare nga donatorët, për të ndërhyrë në zbatim të përcaktimeve që do të dalin nga studimi i fizibilitetit për këto kaskada, i cili bëhet i mundur me financimin e qeverisë zvicerane. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Bojaxhi tha se "studimi i fizibilitetit për sigurinë e digave në kaskadat e Drinit dhe Matit është mjaft i rëndësishëm, pasi i hap rrugën investimeve, që mund të arrijnë në 100 milionë euro. Këto investime për sigurinë e digave janë mjaft të rëndësishme, pasi mbrojnë jetën e 300 mijë banorëve në zonat fushore poshtë kaskadave. Kaskada e Drinit është ndër pasuritë më të mëdha që ka shteti shqiptar". Sipas ekspertëve të digave, vlera e kësaj kaskade shkon mbi 2 miliardë euro dhe është investimi më i madh që ka vendi aktualisht.
Këto investime që realizohen në kaskadë, për të mbrojtur këtë investim gjigant, sipas KESH duhet që të llogariten në çmimin e energjisë që prodhohet në vend. "Në çmimin e energjisë që prodhohet në vend, duhet që të llogariten edhe investimet që realizohen nga KESH",- tha Bojaxhi. Deklarata e bërë nga ana e Bojaxhi është në kuadër të çmimeve të reja që KESH ka kërkuar për të vendosur në vitin 2008. Një nga shpjegimet e ERE për mos rritjen e çmimit të energjisë, ishte edhe përmirësimi i situatës energjitike në vend dhe prodhimi me kosto të ulët i energjisë nga këto burime. Por KESH nuk ka qenë dakord me këtë llogaritje të çmimit, duke deklaruar se deri tani nuk është bërë asnjë llogari për investimet që duhen në kaskadë dhe se ato duhet që të llogariten patjetër në caktimin e çmimit.
Box
Çarja e malit
Vetëm pak ditë më parë KESH ka ndërhyrë në faqen e malit ngjitur me digën e HEC-it Koman për të rregulluar një çarje që ka marrë mali në këtë pjesë. Një masiv shkëmbor me një sipërfaqe më të madhe se 7 500 m2 rrezikon që të shkëputet dhe të shkaktojë një katastrofë në këtë HEC, që është edhe më i madhi në vend, përsa i përket kapacitetit të instakuar të energjisë. KESH, duke parë situatën alarmante ka ndërhyrë me emergjencë, jashtë çdo planifikimi, me një fond prej rreth 1 milionë eurosh dhe me intensitet ka nisur puna për meremetimin e kësaj çarjeje mali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›