Pensionet, fillon shpërndarja e shpërblimit
Janë 536.674 pensionistë, të cilët me rastin e festave të fundvitit do të përfitojnë 5 000 lekë secili
Pensionistët në të gjithë vendin, do të mund që të marrin që nga dita e sotme shpërblimin prej 5 mijë lekësh për Vitin e Ri 2007. Vendimi i marrë nga qeveria do të fillojë që të zbatohet që nga dita e sotme dhe nga ana e qeverisë, është bërë e ditur se këto shpërblime do të mund të merren para natës së ndërrimit të viteve. Gjatë vitit të kaluar, gjatë shpërndarjes së shpërblimeve për pensionistët në fundin e vitit u hasën radhë dhe vonesa të shumta.
***
Nga ky vendim janë rreth 536.674 pensionistë, të cilët me rastin e festave të fundvitit do të përfitojnë 5 000 lekë secili. Vendimi Numër 869, datë 19.12.2007 i Këshillit të Ministrave, ka vendosur që të gjithë pensionistëve të vendit t'ju akordohet një shpërblim në masën e 5000 lekëve të reja. Zv.drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, bëri të ditur kategoritë përfituese të vendimit dhe periudhat kohore në të cilat do të shpërndahet. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2007, ky institucion në drejtim të buxheteve familjare ka transferuar në tre faza 8.1 miliardë lekë ose 97 milionë dollarë më shumë se viti paraardhës. Duke përfituar nga kjo konferencë, zv.drejtori Hado iu bëri edhe njëherë thirrje 640 mijë kontribuuesve që të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore të papaguara, pasi në datën 31 Dhjetor të këtij viti shfuqizohet ligji për faljen e kamatëvonesave.