Bojaxhi: Ndërprerje për festa, shkak mbingarkesa
"Sistemi energjitik shqiptar nuk ka mundësi që të përballojë ngarkesën e madhe që vjen si pasojë e kërkesës për energji"
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare do të kufizojë ndërprerjet e energjisë për festa, por kjo nuk mund të ndodhë për 24 orë rresht, pasi sistemi energjitik shqiptar nuk është në gjendje që të përballojë një ngarkesë të tillë. Deklarata është bërë nga ana e Drejtorit të KESH, Gjergj Bojaxhi. Kjo deklaratë e bërë nga kreu i KESH përkthehet se, edhe në ato pak ditë që kanë qenë të "ndriçuara" për shqiptarët në vitet e fundit, do të ketë ndërprerje energjie pa orar. Kjo, pasi askush nuk mund ta dijë se kur nxehen telat e KESH dhe se kur do na duhet të vëmë në punë qirinjtë për të shmangur terrin, që është kthyer në pjesë e pandashme e jetës. Por, deklaratat që vijnë nga KESH, sërish i lënë shqiptarët të mendojnë se errësira nuk ka ndërmend që të ndalet apo të kufizohet sadopak. "Situata hidrike është mjaft e përmirësuar. Me reshjet e dy muajve të fundit, situata hidrike është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Është herët për të thënë se çfarë situate do të kemi në vitin 2008 por, padyshim, do të jemi në gjendje shumë më të mirë hidrike dhe në furnizimin me energji elektrike në krahasim me vitin 2007",- tha Bojaxhi. Kjo deklaratë e Drejtorit të KESH mbetet sërish e paqartë pasi nuk shpjegon se sa orë pa drita do të duhet të përballojmë vitin që vjen, pasi deri tani, megjithëse shiu ka sjellë edhe përmbytje, asnjë minutë në furnizim me energji nuk është përmirësuar. Nga 4 deri në 17 orë në ditë shkojnë kufizimet e energjisë, përjashto edhe rastet e remonteve, ku oraret pësojnë sërish shtesa në kufizime.
Qeveria, 100 mln USD borxhe KESH-it
Kjo është shuma që qeveria i ka dhënë Korporatës për vitin 2007 si borxh, ndërsa KESH ka kërkuar edhe rritjen e çmimit të energjisë me 38% për të dalë nga kriza financiare. Bojaxhi ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se, "vendimi i ERE-s për të shtyrë ndryshimin e çmimeve nuk ishte ajo që prisnim, dhe nuk na është thënë zyrtarisht se përse është shtyrë ky vendim. Kjo sigurisht do të ketë efekt negativ në financat e KESH-it dhe, si rezultat, edhe tek mundësia jonë për të furnizuar sa më mirë dhe me sa më eficiencë konsumatorët tanë". Por Bojaxhi vlerësoi pozitivisht në këtë drejtim, vendimin e fundit të qeverisë për një fond mbështetës për KESH-in. "Duke marrë parasysh se qeveria na alokoi sasi tjetër fondi, kjo i na krijon hapësirat për të vazhduar që të operojmë financiarisht në mënyrë të rregullt, deri në vendimmarrjen e ERE-s për ndryshimin e çmimit",- tha Bojaxhi.