Akuza: Arkëtares iu gjetën 12.5 milionë lekë në llogari
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Arkëtarja e bankës së Lushnjës, arrestuar për vjedhje, është lënë dje në arrest shtëpie. Ornela Tabaku do të qëndrojë në shtëpi derisa hetimet të përfundojnë për të. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Lushnjës, pasi 25-vjeçarja ka një fëmijë të vogël, ndonëse nga prokuroria është kërkuar me ngulm qëndrimi i saj në burg pa afat. Tabaku u arrestua mbrëmjen e së premtes me akuzën e vjedhjes së 12.5 milionë lekëve nga llogaria e Drejtorisë së Rrugëve Fier, si dhe për një sërë transaksionesh të realizuara nga muaji janar, në mënyrë të paligjshme. Seanca gjyqësore u zhvillua pa praninë e mediave. Përballë kryegjyqtares Armena Ahmeti u vendos pala mbrojtëse, përfaqësuar nga avokati lushnjar Metush Mecka, ndërsa nga organi i akuzës prokurori Arben Dyla. Pala e akuzës i kërkoi gjyqtares “arrest me burg pa afat”, deri në përfundim të hetimeve gjyqësore, ndërsa kjo kërkesë u kundërshtua nga pala mbrojtëse. “Duke qenë se për këtë ngjarje ne po vijojmë të mbledhim materiale dhe nisur nga fakti që na duhet të shtrihemi në shumë institucione dhe individë, unë si përfaqësues i Prokurorisë së Lushnjës kërkoj që Tabaku të qëndrojë në burg. Kjo masë derisa ne të përfundojmë me mbledhjen e të dhënave dhe fakteve konkrete, pasi edhe situata për të cilën flasim është delikate”, mësohet të jetë shprehur prokurori. “Në momentin që ne flasim kemi vërtetuar që në llogarinë bankare, që mban emrin e 25-vjeçares, kemi gjetur shumën e vjedhur prej 12.5 milionë lekësh, ndërkohë kemi gjetur gjithashtu që kjo shumë është prekur me rreth 300 mijë lekë të reja”, ka bërë të ditur ai. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i palës mbrojtëse. Avokat Mecka, pasi argumentoi se klientja e tij nuk është e rrezikshme për shoqërinë dhe për më tepër është nënë e një fëmije 6 muajsh, kërkoi lehtësim të masës së sigurisë. Ai deklaroi gjithashtu dhe derdhjen e një shume të hollash nga familja Tabaku, si garanci, një shumë që zëvendësonte 300 mijë lekëshin e prekur sipas prokurorisë. Në fund të argumentit të tij, avokati i kërkoi gjykatës arrest në shtëpi për 25-vjeçaren. Kjo kërkesë u pa si e argumentuar nga gjyqtarja dhe sipas saj, e akuzuara do të qëndrojë në këtë masë derisa në shqyrtimin dhe mbledhjen e fakteve të tjera. Mësohet se vetë arkëtarja nuk ka bërë asnjë reagim në sallën e gjyqit. Po ashtu, reagim nuk ka pasur as nga drejtuesit e bankës, të cilët kanë qenë të pranishëm në sallën ku zhvillohej gjyqi. E reja Ornela Tabaku ra në prangat e policisë falë operacionit “Transferta e fundit”. Policia bëri të ditur se Tabaku u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi dyshohej se kishte grabitur rreth 12.5 milionë lekë. Vetëm një ditë më pas e arrestuara nuk ka pranuar veprën penale, duke thënë se nuk kishte dijeni për këto lëvizje në bankë dhe as për vjedhjen marramendëse, e depozituar nga Drejtoria e Rrugëve të Fierit.