Pukë, motosharra vret 44-vjeçarin
PUKE - Ngjarje e rëndë aksidentale në një fshat të rrethit të Pukës. Një 44-vjeçar ka humbur jetën, teksa priste drurë në pyll. Burimet policore shprehen se ngjarja ka ndodhur në fshatin e thellë malor Munellë të rrethit të Pukës. Gjin Peraj, nga fshati Mesul, është dëmtuar rëndë nga motosharra, me të cilën po priste pemët. Të njëjtat burime sqarojnë se Peraj kishte shkuar me disa bashkëfshatarë të tij për të prerë dru në pyll dhe në punë e sipër kishte humbur kontrollin e motosharrës, e cila i është ngulur në trup. Dëshmitarët e kësaj skene kanë nxituar t’i shkojnë në ndihmë për t’i ndërprerë rrjedhjen e gjakut. Me shpejtësi e kanë transportuar për në spitalin e Pukës dhe më pas në të Shkodrës. Për shkak të gjendjes së rëndë është kërkuar një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë. Por mësohet se ende pa marrë ndihmën e mjekëve të Tiranës ai ka ndërruar jetë. r.d