Arrestohet pronari i apartamentit, dyshohet se hodhi 36-vjeçaren nga kati i 6-të pas seksit
Etleva Delia
Arrestohet një person i dyshuar për vrasjen e gruas 36-vjeçare, e cila ra nga pallati tri ditë më parë në afërsi të “21 Dhjetorit” në Tiranë. Dje policia ka arritur të verifikojë identitetin e viktimës, e cila është Floreta Tartari, 36 vjeçe me origjinë nga Laçi. Identifikimi i gruas dhe një sërë provash të mbledhura nga policia në lidhje me ngjarjen, kanë zbardhur detaje të historisë tragjike, e cila përfundoi me rënien e gruas nga kati i gjashtë i pallatit. Ngjarja dyshohet se ka qenë vrasje. Për autorësinë e krimit, policia ndaloi dje një person të dyshuar, banor i pallatit ku ndodhi ngjarja. Fatmir Prisku, 33 vjeç, banues në apartamentin nga i cili u hodh gruaja 36-vjeçare, është ndaluar dje nga policia nën dyshimin se ka hedhur nga kati i gjashtë viktimën e ngjarjes. Sipas hetimeve të oficerëve të policisë së Tiranës, gruaja që humbi jetën dyshohet se ka qenë prostitutë. Nga ekspertiza mjeko-ligjore që iu bë kufomës së 36-vjeçares, mjekët kanë arritur në përfundimin se të paktën një orë para se të binte nga kati i gjashtë, ajo kishte kryer marrëdhënie seksuale. Me gjithë dyshimet e policisë, nga burime zyrtare të hetimit është konfirmuar se i ndaluari Fatmir Prisku, pronar i apartamentit nga i cili ra gruaja, nuk e ka pranuar implikimin e tij në këtë ngjarje. Policia tha dje se i ndaluari nuk e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, madje ka pretenduar se nuk e njihte viktimën. Megjithatë grupi hetimor ka siguruar prova të mjaftueshme, gjurmë dhe dëshmi që provojnë të kundërtën. Policia ka rindërtuar skemën e ngjarjes sipas të cilës, 36-vjeçarja ndodhej në shtëpinë e Priskut dhe dyshohet të jetë shtyrë nga ai, duke e hedhur nga ballkoni, pas një debati të mundshëm mes tyre.
SKEMA E NGJARJES
Floreta Tartari, që sipas hetimit është ndaluar më parë në polici për prostitucion, ndodhej tek shtëpia e të arrestuarit Fatmir Prisku, me të cilin njihej pikërisht nga profesioni që ushtronte. Dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme janë dëshmitarët që i kanë parë bashkë Priskun dhe Tartarin, duke kaluar pranë kryqëzimit të “21 Dhjetorit”, rreth orës 17:00 të tri ditëve më parë. Sipas policisë, 33-vjeçari Prisku ka qenë i martuar dy herë dhe në të dyja rastet është divorcuar, për shkak se ushtronte dhunë ndaj bashkëshorteve. Ai jeton në pallatin ku ndodhi ngjarja, mbrapa Ambulancës nr.9, në një apartament në katin e gjashtë, nga ku ra dhe humbi jetën Floreta Tartari, që sipas policisë u shty nga i dyshuari. Në momentin kur Prisku ka futur në shtëpi viktimën, apartamenti ishte bosh, pasi nëna e tij ndodhej tek disa të afërm. Grupi hetimor sqaroi se ngjarja ka ndodhur rreth dy orë pasi ata ishin futur në banesë dhe kishin kryer marrëdhënie seksuale, kundrejt një shume parash, ende të papërcaktuar. Dyshohet se mes tyre mund të ketë pasur ndonjë konflikt dhe 36-vjeçarja, pa asnjë rrobë në trup është shtyrë nga ballkoni dhe ka rënë në verandën e pallatit shumëkatësh, pasi është përplasur dy herë me hekurat e ballkoneve të tjera, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
IDENTIFIKIMI i viktimës
Policia ka hasur vështirësi në identifikimin e kufomës, e cila fillimisht u dyshua se ishte vetëhedhur ose kishte rënë aksidentalisht nga ballkoni. Duke qenë e zhveshur nudo dhe e panjohur nga asnjë banor i zonës të lagjes, policia ka kryer kontrolle dhe ka marrë në pyetje dhjetëra persona përgjatë gjithë natës. Kjo për shkak se nuk ishte e qartë nga cili apartament ishte hedhur viktima. Një çantë e mbështjellë me rrobat e saj, e cila dyshohet se është hedhur nga autori në një tarracë në hapësirën mes dy pallateve, pranë vendit të ngjarjes, ka sqaruar gjithçka për grupin hetimor. Në çantë u gjet pasaporta e Florata Tartarit, një shumë prej 20 mijë lekësh të vjetra dhe disa rroba të brendshme. Policia tha se autori i dyshuar ka tentuar të fshehë gjurmët pas krimit, duke hedhur çantën dhe sendet e viktimës.
Studentët nga Saranda: S’ishte në banesën tonë
Mjekët ligjorë: Gruaja kreu marrëdhënie seksuale para vdekjes
TIRANE – Mbrëmjen e të hënës policia e Tiranës shkoi menjëherë në vendin ku u gjet trupi i pa jetë i 36-vjeçares Floreta Tartari. Duke qenë se asnjë nga banorët e zonës nuk e njihte viktimën, fillimisht pati paqartësi për ngjarjen, madje u dyshua se gruaja kishte rënë nga një apartament i katit të shtatë, ku jetonin me qira dy studentë nga Saranda. Dy studentët janë pyetur ditën e djeshme dhe kanë thënë se nuk ishin të ndodhur në banesë të hënën, duke pohuar se viktima e ngjarjes nuk ishte e afërme apo e njohur e tyre. Ndërkohë që prej mbrëmjes së hënë, trupi i viktimës së rënë nga pallati pranë “21 Dhjetorit” në Tiranë, ishte dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Specialistët e mjekësisë ligjore kanë pohuar dje në konkluzionet paraprake, veç shkakut të vdekjes, edhe faktin se gruaja 36-vjeçare kishte kryer marrëdhënie seksuale rreth një orë para se të gjente vdekjen. Një fakt i tillë, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, është konfirmuar nga lëndët e gjetura në trupin e viktimës. Ky fakt e drejtoi policinë e kryeqytetit në një pistë tjetër nga ajo e vetëvrasjes. Kontrolli në zonën ku ndodhi krimi gjeti çantën e gruas, e cila ishte hedhur jashtë pallatit në një hapësirë të ngushtë. Dyshimet e policisë për një ngjarje të qëllimshme u përforcuan akoma më shumë nga ky fakt, ndërkohë që verifikimi i gjurmëve të gishtave të disa të dyshuarve në zonë, dërgoi grupin e hetimit tek 33-vjeçari i ndaluar ditën e djeshme. Ai dyshohet se ka pasur marrëdhënie seksuale me viktimën, e cila më pas është shtyrë dhe ka rënë nga ballkoni i katit të gjashtë të apartamentit.