E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishmi çel sezonin, tiranas e durrsakë në Gjirin e Lalëzit



DURRES - Ishmi çel si asnjëherë më parë sezonin veror. Lidhja e rrugës nacionale me plazhet e Lalëzit e ka bërë tashmë këtë pjesë të bregdetit shqiptar lehtësisht të arritshme. Mijëra vetë, shumica e të cilëve banorë të zonës, durrsakë dhe kryeqytetas kanë hapur siparin turistik të një prej perlave të bregdetit shqiptar. Kjo ditë ka mbledhur në gjirin e Lalëzit shumë pushues, shumica e të cilëve janë të rinj dhe të reja. Këtu natyra është e virgjër, pasi deri në fillim të viteve ’90, konsiderohej zonë kufitare. Plazhi i mrekullueshëm ishte i rrethuar ngado me ushtarë, bunkerë dhe tela me gjemba. Tashmë 20 vjet më vonë, kjo zonë është e gjitha për t’u zbuluar nga të apasionuarit e natyrës në bregdet. Plazhi, i cili mban emrin e shenjtorit “Shën Pjetër” shtrihet në një gjatësi prej 5 kilometrash. Më në veri të “Shën Pjetrit, natyra bëhet më e ashpër dhe shkëmbinjtë bregdetarë të japin përshtypjen se gjendesh në rivierën jugore të Shqipërisë. 8 qershori i vitit 2010 është një ngjarje e shënuar për 9 mijë banorët e komunës Ishëm, pasi për herë të parë fshatrat e kësaj zone hyjnë në axhendën turistike shqiptare. Në takim, veç deputetëve të Qarkut të Durrësit, krerëve të Komunës dhe komunitetit të gjerë morën pjesë edhe të deleguar nga ambasadat e huaja të Tiranës. Dielli që shkëlqente dhe deti joshës i Ishmit krijuan atmosferën ideale për aktivitete të ndryshme sportive si hipizmi, “beach-volley”, minifutbolli, noti, garat e atletikës, etj. Ceremonia e hapjes së sezonit veror u pasqyrua edhe me një ekspozitë fotografike. Në të u sollën imazhe të rëndësishme të objekteve me vlerë religjioze, historike, arkeologjike dhe kulturore që ndodhen në territorin e kësaj njësie administrative. Përgjatë 95 kilometrave katrorë të komunës së Ishmit ndodhet: kalaja e mrekullueshme e Skënderbeut në kepin e Rodonit, Bazilika e Gjuricajt rrëzë kodrës, kisha e “Shën Ndout” e shndërruar në një vend pelegrinazhi, si dhe kështjella mesjetare e Ishmit. Sipas etimologëve, fjala Ishëm shpjegohet me termin “I hijshëm”, ndaj ky mbiemër që dëshmon cilësi, ka evoluar në kohë duke emërtuar këtë territor të mrekullueshëm të Durrësit, i cili në veri kufizohet me rrethin e Kurbinit. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›