E Diel, 1 Nëntor 2026

Pyetësori, KE merr dëshmitë e drejtuesve të Prokurorisë



Trazhgim Sokolaj

Ekspertë të Komisionit Europian “morën në pyetje” dje zyrtarë të Prokurorisë shqiptare në lidhje me shtesën e pyetësorit të dërguar në Tiranë nga KE, pas dorëzimit të vëllimit të parë të përgjigjeve nga Shqipëria. Tre ekspertë të Komisionit Europian, të shoqëruar edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Integrimit, kanë mbërritur dje në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kanë kërkuar takim me zyrtarët e organit të akuzës. Fillimisht në takimin me ekspertët e BE-së kanë marrë pjesë drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtori i Hetimit dhe Drejtori i sektorit Task-Force Antikorrupsion në organin qendror të akuzës. Pas këtij takimi, ekspertët e BE-së kanë kërkuar të marrin sqarime nga afër nga drejtuesi i Zyrës Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Takimi i ekspertëve të huaj me zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Tiranës ka zgjatur të paktën tri orë. Marrja e shpjegimeve nga afër prej zyrtarëve të Prokurorisë është kryer dje nga ekspertët e KE-së, vetëm dy ditë para se Shqipëria të dorëzojë më 10 qershor 2010, përgjigjet e 170 pyetjeve shtesë që Komisioni dërgoi në Tiranë pak javë më parë. Pyetjet shtesë iu adresuan Shqipërisë, pas dorëzimit të pyetësorit më 4 prill 2010 nga Kryeministri Berisha në Bruksel.
Pyetësori i KE
Pak javë më parë, Komisioni Europian, i cili shqyrtoi pyetësorin e parë të dërguar nga Shqipëria, adresoi edhe 170 pyetje të tjera, të cilat ishin ndarë në kërkesë për sqarime lidhur me 700 çështje të ndryshme. Disa prej këtyre çështjeve ishin procedurat gjyqësore, gjykatat dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Ekspertët e KE-së mësohet se kanë kërkuar dje sqarime direkte, jashtë përgjigjeve të dhëna me shkrim, nga drejtuesi i Task-Forcës Antikorrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe nga shefi i kësaj njësie në Prokurorinë e Tiranës, e cila mbulon ngarkesën kryesore në vend në hetimin e dosjeve të korrupsionit, abuzimit të zyrtarëve dhe veprave penale që kanë të bëjnë me krimin ekonomik. Takimi, i cili ka zgjatur më shumës se tri orë, ka qenë i mbushur me sqarime për procedurat që ndiqen në hetimin e rasteve të ndryshme të korrupsionit, në sqarime që kanë të bëjnë me numrin e punonjësve të njësive antikorrupsion, procedurat e punës dhe një sërë çështjesh të tjera. Shqipëria pritet të dorëzojë përgjigjet e saj për 170 pyetjet shtesë të Komisionit Europian në kuadër të plotësimit të pyetësorit, që është pjesë e procedurave për marrjen e statusit vend kandidat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›