Akuza: Me Bashën përballemi në gjykatë
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgjithshme refuzoi dje të bënte komente apo deklarata ndaj akuzave të avokatit të Lulzim Bashës, i cili tha se marrja e klientit të tij në pyetje dhe cilësimi i statusit të pandehur është në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e gjykatës. “Nuk kemi asnjë koment për të bërë lidhur me këtë çështje. Argumentet tona juridike dhe ligjore si dhe provat penale mbi të cilat jemi bazuar në veprimet tona, do t’i paraqesim për vlerësim ligjor në gjykatë”. Kështu janë shprehur dje burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, një ditë pasi avokati i Lulzim Bashës tha se vendimi i Gjykatës së Tiranës, lidhur me ankimin e Armand Telitit dhe Andi Tomës, kishte efekt edhe në ndalimin e kryerjes së veprimeve hetimore ndaj ish-ministrit të Transporteve. Por edhe pse në pamje të parë Prokuroria ka shprehur refuzimin e përfshirjes në debat me avokatin e ministrit të Jashtëm, zyrtarët thanë se, pasi është marrë i pandehur për akuzën “shpërdorim detyre”, Lulzim Basha po hetohet për veprat penale “shkelje e barazisë në tendera” dhe “korrupsion”. Sipas zyrtarëve të Prokurorisë së Përgjithshme, këto nuk janë akuza ende të faktuara dhe të artikuluara zyrtarisht, porse po hetohet në funksion të tyre për kaq ditë sa i kanë mbetur afatit të hetimit deri më 6 dhjetor, ose edhe më tej nëse Gjykata e Apelit shfuqizon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për të lejuar vazhdimin e hetimeve.
Akuza
për ministrin
Dy ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme liroi nga akuza dy prej zyrtarëve të pandehur në dosjen “Durrës-Kukës”. Objekt i hetimit në këtë procedim penal të filluar më 9 mars 2007 ishte veçanërisht prokurimi, tenderimi dhe procedura e ndjekur me financimin e ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash. Pas më tepër se një viti që kur ngriti akuzën “shpërdorim detyre” ndaj ish/zv-ministrit të Transporteve, Armand Teliti dhe drejtoreshës së Rrugëve, Lejla Saraçi, Prokuroria i liroi ata nga çdo përgjegjësi ligjore, duke pohuar se ndaj tyre nuk ka prova. Ndërkaq dje, Prokuroria tha se dosja penale do të shkojë në gjyq me dy zyrtarë të pandehur, ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha dhe ish-drejtorin e Drejtorisë Juridike në këtë dikaster, Andi Toma. Duke i konsideruar si në mospërputhje me ligjin procedurat e ndjekura me prokurimin, tenderimin, financimin dhe procedurën e përzgjedhjes së supervizorit, Prokuroria ka akuzuar si përgjegjës ish-shefin e Drejtorisë Juridike, Andi Toma dhe ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Sipas Prokurorisë, i pari ka lejuar kryerjen e procedurave në kundërshtim me ligjet dhe me dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, ndërsa ministri i Jashtëm, Basha, në detyrën e mëparshme ka kaluar në Qeveri pasi ka firmosur projektvendimet “problematike”, që më parë kishin kaluar në zyrën e të pandehurit tjetër Andi Toma. Ky ka qenë shpjegimi i vetëm që Prokuroria dha për akuzën e ngritur për “shpërdorim detyre” ndaj ministrit Lulzim Basha për kohën që ai ka qenë ministër transportesh. “Faktet e tjera dhe provat konkrete do të paraqiten në gjykatë dhe do të bëhen publike në momentin e duhur procedural dhe ligjor”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme.